E Diel, 1 Nëntor 2026

S`ndaluan vrasjen e Tahirit, pranga dy policëve

Duket se kanë pasur mundësi për të parandaluar vrasjen e shefit të tyre, Adem Tahirit, por nuk kanë kryer asnjë veprim jo vetëm para ngjarjes, por edhe pasi kishte ndodhur ajo për të arrestuar autorin Ilir Xhakjen. Ky ka qenë konkluzioni i hetimeve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pas hetimeve për vrasjen e kryekomisar Tahirit.
 

Për këtë arsye janë arrestuar dy policët, Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, të cilët kanë qenë në shërbim së bashku me Shefin e Komisariatit të Shijakut. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendëshme, Leonard Olli, jep me detaje hetimet e SHKB-së dhe të Prokurorisë së krimeve të rënda.
 

“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, ka kryer veprimet e para hetimore në ngarkim të punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, pasi mbi ta rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13.09.2012, ku humbi jetën Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj. Këto veprime janë kryer krahas veprimeve hetimore të kryera nga sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, nën drejtimin e prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomisar Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë. Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore, që parashikon ligji”, thuhet në deklaratën e MB.
 

Por ardhja në krye të SHKB të një tjetër emri nuk i ka përfunduar me kaq hetimet për korrupsion në rradhët e policisë. Pasi është vënë në pranga shefi i Komisariatit të Korcës, Nikolin Thana, me akuzën e mitmarrjes si dhe bashkë me te edhe punonjës të komunës Voskopoje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›