E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS falënderon qytetarët e Tiranës

Partia Socialiste festuan sonte në kryeqytet fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, njëherësh rikthimin në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Aktiviteti "Faleminderit Tirana" u zhvillua në Amfiteatrin tek liqeni artificial. Deputetët e Tiranës, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, përshendetën qytetarët e Tiranës dhe falënderuan të gjithë socialistët që kontribuan për fitoren. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se Tirana dhe e gjithë Shqipëria janë çliruar, pasi një shpirt i ri do të vijë në qeverisjen e këtij vendi.

Në aktivitetin “Faleminderit Tirana”, Rama tha se socialistët do ta qeverisin Shqipërinë për të gjithë ata që na kanë zgjedhur dhe por ata që nuk na kanë zgjedhur. Rama tha se sot shqiptarët duhet të ndihen të çliruar dhe të shpëtuar, duke premtuar se kjo do të vërtetohet me vepra gjatë qeverisjes.

“Janë çliruar mësuesit, nesër do të marrin frymë lirisht dhe nuk do të ndihen nën presionin e pushtetit. Infermierët dhe mjekët, sepse do të jenë aty vetëm për t’ju shërbyer të sëmurëve, dhe jo pushtetit, duke lënë spitalin bosh për të shkuar në miting. Policët e zakonshëm dhe të gjithë ata me uniforme blu që i shërbejnë shtetit, dhe nuk do të jenë më kurrë të detyruar t’i shërbejne pushtetit. Nxënësit, studentët që nuk do të kërcënohen më për notën, për ta marrë vesh më parë për kë do të votojnë. Të gjithë ata që jetojnë me një biznes të vogël, apo të gjithë ata që kanë vendosur të bëhen të pasur përmes sipërmarrjes, ne do të vlerësojmë kontributin e gjithkujt.”- tha Rama.

Kryeministri i ardhshëm, ripërsëriti edhe njëherë premtimet e fushatës, për të legalizuar të gjitha shtëpitë në zonat informale, si dhe zgjidhje të çështjes së pronës.

“Unë sot ndjehem më i lehtësuar që t’ju them atyre që presin të legalizojnë se janë çliruar nga kthetrat e një partie që i la të palegalizuar që tua merrte votën më lehtë. Ne në fund të mandatit tonë të parë do të jemi krenarë përpara tyre, sepse ata do të kenë shtëpinë pronë të tyre të patundshme. Janë çliruar edhe pronarët, që i shkuan pas për vite te tëra, ndoshta votuan për të edhe kësaj here. Ne do tu japim pronarëve të gjithë respektin, dhe do ta trajtojmë si shtet çështjen e pronës.”- theksoi Rama.

Deri tani kemi folur, por nuk mund të mateshim dot, vijoi Rama, duke shtuar se, do te vazhdojne te flasim, por do të matemi me sa të zot jemi në ato që bëjmë.

“Kjo është një barrë shumë e madhe, unë ju them që ne kemi nevojë për çdo vajzë dhe djalë të talentuar apo për çdo burrë dhe grua të aftë. Kundërshtarët na kanë lënë pas një libër shumë të trashë me gabimet e tyre, nëse ne dimë ta lexojmë, dhe nuk do përsërisim gabimet e tyre, ne do të bëjmë histori”, përfundoi Rama.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›