PS, frikë nga kufizimi i imunitetit

Këtij kompleksi nuk i shpëton as Pandeli Majko
Anëtari i Kryesisë së PS-së, Pandeli Majko shprehu dhe një herë frikën e forcës së tij politike për të kufizuar imunitetin e deputetëve. Sikundër u shpreh Majko para të rinjve të Forumit eurosocialist në kampin e tyre veror në jug të vendit, mazhoranca nuk ka frikë të heqë imunitetin sepse krerët e institucioneve i ka emëruar ajo.“Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është, ore ç’janë këta qeveritarë që nuk kanë frikë, sepse realisht sot qerrja më e madhe për këtë çështje është nga qytetarët që thonë s’kemi frikë, hajde na e hetoni. Dhe çështja është shumë e thjeshtë, se sot jetojmë në një vend ku gjykatësin, prokurorin sot dhe kreun e SHISH edhe presidentin e emëron një parti”, u shpreh Majko.
Sipas Majkos me emërimin e fundit të kreut të SHISH Shqipëria është kthyer në shtet monokratik, sepse drejtimi nga një individ po ndodh në shoqërinë shqiptare.
“SHISH ishte institucioni i fundit drejtuesi i të cilit nuk ishte ndryshuar që nga viti 2005. Realisht themi që kemi republikë parlamentare, kemi president, kemi Parlament, që kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, që kemi institucione të pavarura, por në terma konkretë, për fat të keq, dhe me veprimin e fundit ne duhet t’i pohojmë vetes që ky vend është nën urdhrat e një njeriu që nuk është duke bërë një gabim, se gabimi “ok” vjen nga padija në disa raste nga interesa politike të caktuara, por për rastin e kryeministrit aktual është një histori e përsëritur. Një histori e përsëritur nuk mund të jetë një gabim”, vuri në dukje Majko. Rreth 400 të rinj të FRESH-it kanë zgjedhur kampin veror në Jalë për të pushuar, por takimi i tyre disaditore po shfrytëzohet edhe për të diskutuar mbi debatin politik të ditësh, si dhe për të ndërtuar axhendën që ky forum do të kryejë në këtë vit politik.