PS, homazhe për 67-vjetorin e çlirimit të Tiranës
Deputetë të opozitës dhe kreu i saj, Rama, kanë përkujtuar sot 67-vjetorin e çlirimit të Tiranës me homazhet e zhvilluara te monumenti i Partizanit të Panjohur.
Rama së bashku me deputetët socialistë vendosën kurora me lule në memorialin e Partizanit të Panjohur, në nder të të gjithë të rënëve për çlirimin e kryeqytetit.
Gjithashtu, në këtë ceremoni-homazh ishin të pranishëm edhe shumë veteranë, të cilët kanë kujtuar edhe njëherë me nostalgji ditën kur Tirana do të zbardhej e lirë dhe festën që mbizotëroi në çdo cep të saj në 17 nëntor 1944.
Kryetari i këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi duke folur në këtë ceremoni risolli në vëmendje simbolin e kësaj dite: Sot është një ditë e rëndësishme për kryeqytetin shqiptar. Një ditë e rëndësishme sepse na kujton simbolin e fitores mbi të keqen, simbolin e fitores mbi një nga diktaturat më të egra në Europë. Simbolin e fitores mbi të gjithë ata që dje, sot dhe nesër duhet të kenë të qartë që idealizmi, kuraja, sakrifica për lirinë dhe për demokracinë, fitohen me të drejtën, fitohen duke respektuar normat e rëndësishme të barazisë dhe të demokracisë. Kjo ditë e sotme na kujton të gjithë ata të rënë, të gjithë ata të rinj të cilët besuan tek një ditë më e mirë, të cilët besuan tek liria, të cilët besuan tek vlerat më të mira të demokracisë.
Duke përfunduar Dalipi, uroi, në emër të këshilltarëve bashkiakë të Tiranës që ai përfaqëson, që të gjitha brezat të mos e harrojnë këtë ditë të madhe për Tiranën dhe mos e harrojnë sakrificën e të gjitha atyre që luftuan për lirinë dhe demokracinë.