E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Pritet rritje e konsumit dhe investimeve

26/05/2011  Guvernatori i BSH-së theksoi nevojën për ruajtjen e nivelit të deficitit buxhetor

Një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare parashikon Banka e Shqipërisë për vijimësinë e këtij viti. Duke folur për zhvillimet e muajve të parë të 2011-ës dhe analizën që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës bëjnë për të ardhmen, Guvernatori Ardian Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë do të marrë çdo masa të nevojshme për të respektuar objektivin e inflacionit, i cili edhe në këtë periudhë ka pësuar goditje nga jashtë, duke reflektuar çmime të larta në treg. “Konsumi dhe investimet private pritet të rriten më tej, ndërkohë që pas ngadalësimit në vitin 2010 edhe sektori fiskal pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Pavarësisht kësaj, rritja e kërkesës vlerësohet se do të jetë nën potencialin e ekonomisë sonë edhe për vitin 2011. Kjo do të kushtëzojë presionet rënëse mbi inflacion nga ekonomia e brendshme, të cilat pritet të balancojnë efektin e rritjes së çmimeve të huaja”, - nënvizoi guvernatori Fullani.

Tendencat

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka kërkuar që të ruhen balancat dhe nivelet e deficitit buxhetor, parë situatën e mbledhjes së të ardhurave në buxhet deri më tani. “Informacioni i muajit prill tregon një rritje më të ngadaltë të të ardhurave buxhetore në këtë periudhë, duke theksuar nevojën e marrjes së masave për respektimin e nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor. Të dhënat e ekonomisë reale sugjerojnë një rritje të ngadaltë të konsumit, në vijim të pasigurive mbi situatën e ardhshme të punësimit. Nga ana tjetër, ecuria më pozitive e kredisë për bizneset dhe rritja e importeve të mallrave kapitalë sugjeron se investimet kanë qenë më pozitive duke forcuar premisat për një rritje ekonomike më të qëndrueshme në të ardhmen”, - tha Fullani. Në të njëjtën linjë edhe vijimësia e investimeve të bizneseve kërkon reagimin e kërkesës konsumatore, për të cilën Banka e Shqipërisë gjykon se ka hapësira rritjeje. Sipas tij, rritja afatgjatë e investimeve do të kushtëzohet nga aftësia e ekonomisë shqiptare për të tërhequr kapitalin e huaj. “Institucionet përgjegjëse, në nivel makro dhe mikroekonomik, duhet të forcojnë më tej punën për reformat strukturore të cilat zhvillojnë më tej avantazhet krahasuese të ekonomisë shqiptare dhe të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë në tregjet e produkteve, të punës e të kapitalit. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e parametrave të stabilitetit makroekonomik është një parakusht i domosdoshëm në këtë drejtim, duke e orientuar gjithnjë punën e saj nga garantimi i stabilitetit të çmimeve dhe mbështetja e stabilitetit financiar të vendit”, - tha Fullani. Një vëmendje të madhe po i kushtohet edhe rritja e përshpejtuar e importit të mallrave të ndërmjetëm dhe të mallrave kapitalë. Ky zhvillim, sipas Fullanit, kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe ato të tregut valutor.

Norma e interesit

Këshilli Mbikëqyrës ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25 %. Pas diskutimeve të shumta, anëtarët e këtij këshilli konkluduan se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme. “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme janë të kontrolluara. Pritjet inflacioniste vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Në mungesë të goditjeve të papritura, në periudhën afatmesme inflacioni pritet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Faktorët e rrezikut që rrethojnë këtë skenar bazë paraqiten gjithashtu të balancuar”, - konkludoi Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›