PS-ja: Nuk ka reformë elektorale pa transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit
Partia Socialiste ka deklaruar se pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk do të këtë reformë elektorale për zgjedhjet vendore. Ky qëndrim erdhi në formë reagimi pas deklaratave të kreut të LSI-së Ilir Meta, me anë të së cilave ai bëri thirrje që partitë të nisin nga puna për reformën elektorale. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, deklaroi se Meta dhe Berisha duhet ta harrojnë se mund të ketë komisione dhe reformë zgjedhore pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të kaluara. “Ata që shkelën Kodin dhe ligjin e që tani po shkelin Kushtetutën duke mohuar transparencën, duhet ta kenë të qartë se çdo gjë fillon me kryerjen e transparencës dhe zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit”, - ka deklaruar Imeraj.
Çështja Pango - Top Channel, reagon OSBE-ja
Selia qendrore e OSBE-së reagoi dje ndaj vendimit të fundit të gjykatësit Agim Bendo për penalizimin e Top Channel-it me 400 mijë euro gjobë, pas denoncimit të skandalit “Pango”. Në një deklaratë për shtyp gjoba konsiderohet absurde dhe shumë e madhe. Përfaqësuesja për lirinë e medias në këtë organizëm thekson se roli vëzhgues i medias në një shoqëri demokratike e kërkon investigimin dhe raportimi i Top Channel-it synonte pikërisht këtë. Përfaqësuesja për lirinë e medias në OSBE, Dunja Mijatoviç, i drejtoi një letër ministrit të Jashtëm Ilir Meta dhe atij të Drejtësisë Bujar Nishani. “Më 18 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi gjobën 400 mijë euroshe. Gjykata argumentoi se përgjimi ishte ilegal dhe dhunoi të drejtën e Pangos për privatësi. E drejta për privatësinë duhet të balancohet me detyrën e medias për të informuar qytetarët për zhvillimet për të cilat publiku ka interes. Media në rolin e ‘watchdog’ në çdo shoqëri të vërtetë demokratike ka edhe gazetarinë investigative, si pjesë të domosdoshme të saj, duke përfshirë këtu edhe shqyrtimin e kujdesshëm të sjelljes etike dhe profesionale të zyrtarëve qeveritarë. Raportimi i Top Channel-it synonte pikërisht këtë, të hidhte dritë mbi sjelljen e një zyrtari publik dhe abuzimin e tij të pretenduar me postin”, - thuhet në deklaratën e OSBE-së.
30 Qershor 2010