E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: “Berisha ul të ardhurat vendore, ndërhyn me vendime arbitrare”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i ka bërë dje thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos ndërhyjë në kompetencat e pushtetit vendor. Shalsi tha se një numër i madh vendimesh qeverie kanë ndërhyrë në mënyrë arbitrare në përcaktimin e taksave dhe të tarifave vendore, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme të ardhurat vendore. “Sjellja e Sali Berishës ndaj bashkive dhe komunave në përgjithësi, por sidomos vendimet e marra kundër bashkive kryesore, dëshmojnë se urrejtja dhe hakmarrja politike janë boshti mbi të cilin mbështetet e gjithë veprimtaria e qeverisë. Një pjesë e konsiderueshme e grantit të pushtetit vendor për vitin 2010 do të ndahet përsëri sipas oreksit të qeverisë, duke iu shmangur aplikimit të formulës që garanton barazinë dhe ndarje të drejtë midis njësive vendore”, - u shpreh Shalsi. Ai deklaroi se transferta e pakushtëzuar që kanë marrë bashkitë/komunat për vitin 2010 është 20% më pak se ajo e viti 2005. “Nëse deri tani pushteti i Sali Berishës ka tentuar të bllokojë buxhetet e njësive vendore kryesore për motive të pastra politike, nga dita e djeshme marrëzia dhe papërgjegjshmëria e Sali Berishës ka arritur kulmin duke u bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë taksat dhe tarifat lokale”, - tha Shalsi.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›