E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja akuzon PD-ne: Ligji “Per Policine gjyqsore” kaloi ne fshehtesi



Eljona Ballhysa
Demokratët dhe Socialistët janë përfshirë në një debat të gjatë në seancën e djeshme parlamentare për projektligjin “Për policinë gjyqësore”. Drafti është miratuar gati një javë më parë vetëm nga demokratët në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ndërkaq socialistët kanë akuzuar PD-në se e kanë miratuar në fshehtësi këtë projekligj të rëndësishëm, pa i njoftuar për mbledhjen e komisionit. Gjatë seancës parlamentare deputetët e PS-së kanë akuzuar qeverinë se nëpërmjet këtij projekti kërkon të vendosë nën kontroll policinë gjyqësore. Sipas tyre qeveria po kërkon t’i marrë kompetenca prokurorisë, duke e vendosur strukturën e policisë gjyqësore nën urdhërat e ministrit të Brendshëm. Por këto akuza janë hedhur poshtë nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani i cili është shprehur se drafti nuk i merr asnjë kompetencë Prokurorisë. Në përfundim të debatit PD-ja e miratoi projektin vetëm me votat e saj, ndërsa deputetët socialistë nuk morën pjesë në votim.
Debati
“Së pari desha të njoftoj se ky projektligj është futur në Komisionin e Ligjeve me urgjencë dhe është shqyrtuar brenda një mbledhjeje pa na njoftuar ne deputetët e opozitës. Unë mendoj se projektligjet që janë pjesë e reformës në drejtësi nuk duhen ndryshuar parcela, parcela por duhet të shikohen në tërësi edhe me ligjet e tjera që janë në fuqi. Ky projektligj parashikon funksionimin e një strukture që vendoset në varësi të shumëfishtë. Ndërkombëtarët kanë bërë kritika të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së hetimit, por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Kjo për faktin se oficerët e policisë gjyqësore nuk kanë arsimin e duhur, ata duhet të jenë juristë dhe të kenë njohuri të Kodit të Procedurës Penale. Ne kemi shumë juristë që nuk punësohen pasi nuk kanë lidhje partiake. Nëpërmjet miratimit të këtij ligji përsëri do të krijohen probleme lidhur me efikasitetin e policisë gjyqësore. Prokuroria e Përgjithshme ka dashur të heqë qafe këtë lloj varësie dhe mund të ketë shprehur dëshiren që ta ketë Policia e Shtetit pjesën më të madhe të hetimeve”, - është shprehur gjatë fjalës së saj deputetja e PS-së, Vasilika Hysi. Ndërsa, Saimir Tahiri tha se nëpërmjet këtij ligji qeveria po kërkon ta vendosë strukturën e policisë gjyqësore nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe që ministri i Brendshëm ta përdorë si kamxhik për interesat e qeverisë. Në përgjigje të pretendimeve të opozitës se ky projektligj vjen si një përpjekje për të kontrolluar institucionet, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani u shpreh se në fakt projektligji synon të garantojë funksionimin e policisë gjyqësore sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, si dhe shmangien e rasteve të përdorimit në mënyrë abuzive të këtij institucioni. Ndërsa Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha se ky projektligj ka gjetur edhe konsensusin e institucionit të Prokurorisë. “Ky ligj vjen në konsensus midis prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, policinë, Ministrinë e Drejtësisë, si dhe me mbështetjen e plotë të të gjitha agjencive që kanë mëse 15 vjet që asistojnë Shqipërinë”, - Basha.
Projekti
Projektligji “Për policinë gjyqësore” që u miratua dje në seancë me votat e maxhorancës parashikon përmirësimin e performancës dhe procedimin disiplinor të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Nga puna e përbashkët, ekspertët kanë mbërritur në përfundimin që të ruhet organizimi aktual i seksioneve të Policisë Gjyqësore, por duke shtuar në to specialistë të fushave të ndryshme, të emëruar nga prokurori i Përgjithshëm, të cilët do të kryejnë detyra ekspertize. Një tjetër pikë e rëndësishme, për të cilën është diskutuar, ka qenë niveli i përgatitjes të oficerëve të Policisë Gjyqësore krahasuar me ata të emëruar nga Policia e Shtetit. Për këtë u ra dakord për të parashikuar rregulla për trajnime të detyrueshme. Gjithashtu, përcaktohet prerë që varësia e oficerit të Policisë Gjyqësore do të jetë nga prokurori, i cili drejton dhe kontrollon veprimtarinë e saj, duke disponuar personelin dhe duke shfrytëzuar çdo shërbim të kësaj policie. Një tjetër shtesë është detyrimi i Policisë Gjyqësore për të respektuar rregullat e legjislacionit në fuqi për ndalimin e publikimit të akteve që dokumentojnë veprimet procedurale, si dhe të çdo informacioni që rrjedh prej tyre. Projektligji parashikon disa ndryshime të përqasjes së ligjit me sistemin e ri të gradave dhe niveleve të punonjësve të Policisë së Shtetit. Kështu, sipas projektligjit, oficeri i Policisë Gjyqësore i nivelit drejtues më të lartë për shërbimin përgjigjet para drejtuesit të prokurorisë, në kompetencën territoriale të të cilit ndodhet qendra e shërbimit të Policisë Gjyqësore. Në projektligj janë përcaktuar rastet e procedimit disiplinor të punonjësve të Policisë Gjyqësore, kur konsiderohen shkelje, llojet e masave disiplinore, si dhe trajnimin e vazhdueshëm dhe të detyrueshëm të këtyre oficerëve gjatë kohës që ushtrojnë funksionin e oficerit apo agjentit të Policisë Gjyqësore.

Trajtimi financiar i oficerëve të policisë gjyqësore

Një nen i rëndësishëm është edhe trajtimi financiar i oficerëve dhe agjentëve të policisë gjyqësore, ku rritja e pagës u bëhet për shkak të vjetërsisë dhe vështirësisë në punë. Paga e një oficeri të policisë gjyqësore është sa 70% e pagës së një prokurori të rrethit gjyqësor, e cila rritet 2% për çdo vit vjetërsi, pas 5 viteve shërbim në 25 vjet shërbim. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, paga e oficerit të policisë gjyqësore të seksionit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, si dhe të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, shtohet në 20%. Ky nen parashikon që punonjësit e seksioneve të emëruar nga prokurori i Përgjithshëm, mund të përfitojnë shpërblime për merita profesionale në masën e caktuar, me propozim të drejtuesit dhe miratim të prokurorit të Përgjithshëm. Oficerët e policisë gjyqësore, të emëruar nga prokurori i Përgjithshëm, përfitojnë vështirësi gjatë kryerjes së punës deri në masën 20%, sipas kritereve të përcaktimit të vështirësive gjatë kryerjes së punës, që miratohen me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm, me propozim të Këshillit të Prokurorisë.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›