Ruçi kundër hetimit të Masakrës së Tivarit: “PD-ja po e përdor për politikë”
Deputetët demokratë votuan gjatë seancës së djeshme vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit – 1945, nismë e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Lidhur me këtë projektvendim, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi shprehu qëndrimin kundër ngritjes së këtij komisioni, duke argumentuar se kjo ngjarje po tentohet të përdoret politikisht nga ana e mazhorancës. Sipas Ruçit, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një qeveri të ndërhyjë me hetimin e një çështjeje që i përket sovranitetit të një vendi tjetër, Kosovës. Duke iu referuar objektit të hetimit dhe vendndodhjes së tij jashtë territorit të Shqipërisë, dhe çka është më e rëndësishmja duke iu referuar faktit se bashkëkombasit në Kosovë kanë tashmë një shtet të tyre dhe gjithë sovranitetin për të vendosur për fatet e historisë së tyre dhe të të masakruarëve në atë territor. Ruçi apeloi ndaj PD-së duke i kërkuar të mos bëjnë politikë me jetën e të masakruarëve. “Ne le t’i dalim për zot territorit tonë dhe jo atij të një tjetri, dhe le të respektojmë shtetin e ri Kosovës, që tashmë është sovran për t’u dhënë zgjidhje problemeve të rëndësishme”, - tha Ruçi. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, shtoi ndërkaq lidhur me bindjet politike të mazhorancës dhe opozitës, se “ne na ndajnë shumë gjëra, por mos harroni se flamurin e kemi të përbashkët, dëshmorët po ashtu, të tillë i kemi edhe armiqtë e kombit”. Pas tij reagoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u shpreh se “Kuvendi merr një përgjegjësi të madhe për të hedhur dritë mbi një ndër masakrat më të përgjakshme”. Kryetarja e Kuvendit duke iu drejtuar deputetëve socialistë tha se ky ishte rasti që PS-së të tregonte përgjegjshmërinë duke sjellë emrat në komisionin hetimor dhe duke iu bashkuar mazhorancës në këtë nismë të saj. Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi duke shprehur keqardhje për qëndrimin e Partisë Socialiste nënvizoi se “Partia Socialiste kishte rastin e artë për të shkëputur veten nga e kaluara”. Duke e quajtur masakrën e Tivarit si “Katini i Ballkanit” kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se opozita duhet t’i ishte bashkuar mazhorancës për të ndriçuar këtë ngjarje nga më të rëndat në historinë e kombit. Pasi u njohën nga Kryetarja e Kuvendit me projektvendimin “për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit - 1945” dhe me përbërjen e tij, deputetët e miratuan me shumicë votash. Me propozim të Kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të masakrës së Tivarit. Masakra e Tivarit ndodhi ndaj rekrutëve shqiptarë nga Kosova, në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë rrugës për në Tivar të Malit të Zi sipas burimeve historike u masakruan rreth 1700-4300 rekrutë nga ushtria serbe.
16 Korrik 2010