E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, Praga premton një presidencë profesionale

Zëvendëskryeministri çek, Alexander Vondra premtoi sot se presidenca e BE-së nga ana e vendit të tij do të ishte "solide" dhe "profesionale", megjithë dyshimet e shkaktuara nga euroskepticizimi i presidentit Vaclav Klaus dhe e një pjese të klasës politike.

"Ne do ta marrim presidencën e BE-së duke nisur nga 1 janari, megjithë dyshimet që shfaqen në disa media", bëri shaka Vondra gjatë një konference shtypi.

"Mendoj se do të bëjmë në Pragë një punë solide dhe profesionale gjatë këtyre gjashtë muajve të presidencës së unionit. Republika çeke do të pasojë Francën”.

Vondra tha se shefi i qeverisë çeke Mirek Topolanek nuk kishte asgjë për çfarë t'i kishte zili Nikola Sarkozisë, aktivizmi i të cilit në të gjitha drejtimet ishte një nga karakteristikat e presidencës evropiane nga ana e vendit të tij.

"Topolanek i ngjan shumë presidentit Sarkozy. Është një burrë dinamik me sensin e përgjegjësisë në arenën ndërkombëtare, tek i cili mund të mbështetesh në rast problemesh", siguroi ai.

I pyetur lidhur me skepticizmin e një pjese të madhe të klasës politike çeke, duke filluar nga presidenti Klaus, Vondra siguroi se nuk mendonte se do të kishte manovra "destabilizuese", por më tepër një "armëpushim" për çështjet evropiane.

Qendrimet antievropiane të Klausit veçanërisht refuzimi i tij për të ngritur flamurin evropian në pallatin presidencial gjatë presidencës çeke të BE-së, janë kritikuar ashpër dje në Strasburg nga presidenti Sarkozy dhe drejtues të tjerë evropianë.

Vondra ndodhet në Paris për të përgatitur kalimin e e presidencës franceze të BE-së tek Republika çeke. Ai pritet të takohet veçanërisht me sekretarin francez për Çështjet Evropiane,Bruno Le Maire. (atsh)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›