E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Këshillohuni me BE për ligjet

Tiranë-Shefi i Misionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan deklaroi sot se “ekspertiza ndërkombëtare për reformën në drejtësi nuk duhej neglizhuar”. Ai ftoi institucionet e shtetit që kanë tagër e hartojne ligjet të pranojë këshillën ndërkombëtare, që në këtë rast mund të vijë nga ky mision (KE) ose OSBE-ja.

Po kështu Lohan ka kërkuar që të përmirësohen marrëdhëniet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke iu kërkuar këtyre institucioneve që të bashkëpunojnë midis tyre.

Ambasadori i KE-së në Tiranë, Lohan ishte i pranishëm në një ceremoni të binjakëzimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me KLD e Spanjës dhe Italisë, ku ka kërkuar gjithashtu edhe përfundimin me urgjencë të Kodit të ri Zgjedhor.

Ndërsa Presidenti Bamir Topi i pranishëm në këtë takim ka kërkuar si edhe më parë që ndërkombëtarët të monitorojnë reformat në fushën e drejtësisë. “Momenti që po kalojmë është jetik për vendin”, theksoi Topi, duke shtuar se pavarësia e gjyqësorit është sfidë e të gjithëve. Më tej, kreu i shtetit ka kërkuar që të gjenden standarde për reformën në drejtësi.

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë prej kohësh kanë komunikim të vështirë mes tyre. Një rast moskordimini është edhe ai i sotmi, kur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu deklaroi se ky dikaster nuk i ka njohur me draftin për Gjykatat administrative. Këto dy institucione mbajnë qendrime të ndryshme për ligjin për prokurorinë, ligjin për gjykatat, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›