E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dezinformon për krimin me shifra jo reale

02-09-2012 / Gazeta 55

Fokus/ Tahiri rikthehet në rolin e kukuvajkës politike

Deputeti i Partisë Socialiste, i zellshmi Sajmir Tahiri lexoi dje një buletin 3 mujor vrasjesh, vjedhjesh, grabitjesh, zjarresh pa ndonjë referencë zyrtare dhe deklaroi se shifrat e krimi janë më të mëdha sesa vendet e rajonit. Por ai nuk iu përgjigj pyetjes së mediave për vërtetësinë e shifrave dhe statistikës tre mujore dhe cila metodologji krahasuese ishte përdorur për të nxjerrë këto përfundime. Deputeti Tahiri nuk paraqiti as shkresa të INSTAT as statistika të Policisë së Shtetit, thjesht kishte disa shifra me dy zero, siç duket, të sajuara aty për aty për vdekje e aksidente, grabitje ordinere çantash e varësesh që i përdorte më një retorikë të fortë për të sulmuar qeverinë Berisha si përgjegjëse për pasigurinë e jetës. Sigurisht, në këtë deklaratë për shtyp mungoi padyshim solidarizimi me punë e palodhshme të efektivëve blu të policisë së Shtetit.
Ndërsa e vërteta e shifrave zyrtare është ca ndryshe sepse para disa ditësh në një prononcim për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj deklaroi se, “krime të renda ndaj pronës (vjedhje me armë, shkatërrim të pronës private) kemi pasur 152 raste më pak se një vit më parë. Ndërsa krime të renda si vrasje janë më pak se sa një vit më parë. Për vjedhjet e vogla dua të theksoj se ky nuk është një fenomen i ri. Ka vite që ky fenomen që po luftohet dhe autorët janë arrestuar dhe do të arrestohen. Kemi pasur 40 vjedhje çantash në Tiranë. 54 vjedhje celularësh. 34 vjedhje varësesh. Është një fenomen shqetësues por i kontrollueshëm. Kemi 115 krime të zbuluara dhe 140 autorë të arrestuar. Disa prej tyre janë liruar nga gjykatat pasi janë të mitur”, theksoi drejtori i Policisë së Shtetit.
Padyshim është çështje këndvështrimi, pasi në shkallë vendi gjithçka është në parametra normalë. Policia e shtetit po mbulon me një shërbim permanent të gjithë vendin, duke kaluar me një shërbim të përforcuar në 11 orë. Sigurisht për sezonin turistik, masat e sigurisë kanë qenë fokusuar për mbarëvajtjen e qarkullimit dhe të rendit. Në kulmin e sezonit turistik në vend hyjnë 21 mijë mjete çka bërë të vështirë punën e Policisë rrugore, e cila duhet të përmirësohet në parandalimin e aksidenteve. Por duhet thënë se policia e shtetit ka qenë në shërbim të qytetarëve në 24 orë.
Afërmendsh krimi nuk ka letërnjoftim e as ngjyrë. Sidozot është një akt i prodhuar si pasojë e një sërë faktorësh socialë, ekonomikë, psikikë dhe nganjëherë nga motive të dobëta të humbjes së vetëkontrollit njerëzor. Në asnjë mënyrë nuk duhet të justifikohen krimet që cenojnë jetën dhe dinjitetin e njeriut. Mirëpo që opozita e një vendi të përdorë ngjarje kriminale ordinere për të akuzuar qeverinë kjo është e paparë sepse është logjikë parapolitike kapitalizimi elektoral i zemërimit qytetar për ndonjë rast vjedhjeve ordinere apo aksidenti.
Sidoqoftë ajo që bie në sy në deklaratën e deputetit Tahiri ishte mungesa e fjalës së  kyçe: “Rilindje Shqiptare”, që në deklaratat e PS është bërë si kripa në çorbë. Sigurisht është hera e parë që një eksponent i lartë i opozitës politike heq dorë nga formula e zakonshme e ringjalljes, më saktë rilindjes, përmes dorës hyjnore të kreut të PS-së, Edi Rama. Si duket pas mbledhjes politike në Korçës, në PS kanë kuptuar më në fund se ajo formulë as nuk ngjit e as frymëzon, ndaj duhej zhdukur nga deklaratat politike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›