Luan Rama: Opozita të jetë konstruktive, të mos humbet kohë me heqjen e imunitetit
LSI fton PS-në të votojë heqjen e imunitetit, për të realizuar kështu një nga kushtet bazë të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi dje përmes sekretarit të përgjithshëm, Luan Rama se heqja e imunitetit duhet të arrihet në parlament. Në nisje të sesionit të ri parlament, LSI i bën thirrje Partisë Socialiste që të mos e kthejë këtë çështje në refren polemikash, ndërsa i kujton lidershipit socialist se kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë është një nga kushtet kryesore të BE.
“Me nisjen e shtatorit nis edhe viti politik për forcat politike në vend, për forcat politike në vend, vit politik shumë i rëndësishëm sepse ka përpara një tërësi reformash të rëndësishme që duhet të përmbushen të lidhura gjithnjë me procesin e pakthyeshëm të integrimit evropian të vendit nga një anë. Nga kjo pikëpamje, Lëvizja Socialiste për Integrim, jo vetëm është e përgatitur seriozisht dhe me shumë seriozitet për t’i përballuar sfidat e këtij viti politik, por është gjithashtu e gatshme të kontribuojë si gjithnjë me shumë seriozitet, me shumë luajalitet dhe me përkushtim në mënyrë, që klasa politike e vendit, në mënyrë, që Kuvendi i Shqipërisë dhe të gjitha institucionet e tjera politike në vend të jenë në lartësinë e përgjegjësive që kërkojnë këto sfida të mëdha politike dhe integruese. Natyrisht, nisja e shtatorit, sjell edhe një herë në vëmendje çështjen e madhe të pazgjidhur të heqjes së imunitetit. Lëvizja Socialiste për Integrim, jo vetëm ka bindjen por beson se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe ekzistojnë të gjitha kushtet që Kuvendi i Shqipërisë të përmbushë një detyrë të paplotësuar prej vetë Kuvendit. Pra, ne gjykojmë që heqja e imunitetit, si një kusht i rëndësishëm i Bashkimit Evropian që Shqipëria të përmbushë detyrimet që kërkon marrja e statusit si vend kandidat, mund të realizohet në Kuvendin e Shqipërisë. Data 6 gusht ishte shansi i humbur për ta votuar heqjen e imunitetit apo i kur i ftoj palët t’i largohen retorikës dhe të vijnë te veprimi konkret, që është votimi për heqjen e imunitetit, kam parasysh çdo qëndrim që nuk i kontribuon përmbushjes së kësaj detyre apo të këtij angazhimi, u shpreh Luan Rama, ndërsa theksoi se, çështja e referendumit është një çështje, që e parë nga pikëpamja kushtetuese është tërësisht legjitime”, por sipas tij zhvillimi i tij në një periudhë të largët, ‘e dëmton’ Shqipërinë, sa i takon vlerësimeve të progres-raportit të Komisionit Evropian i cili i dorëzohet autoriteteve shqiptare në tetor të këtij viti.
“Referendumi në rastin konkret të paktën në vlerësimin tim nuk na krijon mundësinë që ta përmbushim këtë detyrë përpara tetorit kur do të bëhet vlerësimi i ecurisë së Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve përballë Bashkimit Evropian. Nëse do të ishte e mundur që edhe referendumi të bëhej përpara tetorit nuk ka asgjë të keqe. Por, Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon dhe ka bindjen se heqja e imunitetit duhet votuar dhe ekzistojnë ende mundësitë që Kuvendi ta përmbushë këtë detyrë”, tha ai.
Sipas tij, Kuvendi mund të jetë institucioni ku të realizohet konsensusi politik, në mënyrë që të votohet heqja e imunitetit dhe që në tetor Bashkimi Evropian të ketë mundësinë të vlerësojë realisht mbi detyrat që Shqipëria ka përmbushur.
“Çështja e heqjes së imunitetit nuk mund të jetë dhe të shndërrohet në një retorikë pafund apo një çështje polemikash që nuk prodhojnë asgjë midis forcave politike. Ajo nuk mund të jetë një refren i pambarimtë dhe patetik. Por, është një detyrë që duhet zgjidhur, është një detyrë që duhet plotësuar dhe çdo fjalë apo e gjithë retorika që e shoqëron këtë çështje nuk i shërben zgjidhjes së përmbushjes së kësaj detyre dhe nuk kontribuon që politika shqiptare të shfaqet në nivelin e përgjegjësive që duhet të përmbushë në lidhje me interesat e vendit. Natyrisht, ka edhe shumë çështje të tjera që duhen zgjidhur, por detyra e radhës është heqja e imunitetit, prandaj unë i ftoj edhe deputetët e Partisë Socialiste që me nisjen e sesionit të ri të Kuvendit të vijnë në sallën e Kuvendit dhe të votojnë heqjen e imunitetit. Kjo nuk është një çështje interesash individuale apo interesash partiake, është një çështje që lidhet me interesat e vendit. Interesat e vendit kanë nevojë për kontributin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë dhe kontributi i radhës, ajo që kërkohet në rastin konkret është votimi për heqjen e imunitetit. Nuk ka arsye dhe nuk ka sens që Partia Socialiste të jetë në anën e kundërt të të gjithë faktorëve që kontribuojnë për integrimin evropian të vendit”, tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.
Në 100 vjetorin e pavarësisë, apeli i LSI është i drejtpërdrejtë për selinë rozë, e cila duhet të lerë mënjanë retorikën konfliktuale dhe interesat e ngushta politike dhe t’i bashkohet nismës së mazhorancës për heqjen e imunitetit.
“Ky është një moment i rëndësishëm dhe duhet vlerësuar me shumë seriozitet dhe me përgjegjshmëri për impaktin që krijon në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë, për impaktin që krijon dhe në performancën e vendit tonë dhe të Shqipërisë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë përballë qytetarëve të vendit por edhe përballë bashkësisë ndërkombëtare, prandaj të lëmë mënjanë retorikat, të lëmë mënjanë inatet, interesat parciale dhe ë bashkojmë kontributet tona në mënyrë që të përmbushim detyrimet tona që kërkon Bashkimi Evropian. Nuk është një çështje e vështirë, nuk ka asnjë filozofi, duhet votuar heqja e imunitetit ashtu siç e kërkojnë kushtet e Bashkimit Evropian”, deklaroi më tej, sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama.