PS-ja e Shkodrës: Jemi forcë e parë, mbështesim Edi Ramën
56 anëtarë të asamblesë socialiste, përfaqësues të delegatëve, anëtarëve të Këshillit Bashkiak mbështesin Ramën kryetar
"Kërkesa e Shirokës është personale dhe s'ka lidhje me qëndrimin real të strukturave dhe as anëtarësisë së PS"
SHKODËR - "PS-ja e Shqipërisë dhe lidershipi i saj duhet të këmbëngulin pa asnjë tolerancë në zbatimin e ligjit elektoral, duke garantuar leximin real të verdiktit të shqiptarëve dhe veçanërisht atyre shkodranë në këto zgjedhje". Kjo ka qenë një prej kërkesave të të zgjedhurve në strukturat drejtuese të PS-së në Shkodër, në një deklaratë për mediat, të bërë publike paraditen e djeshme në Shkodër.
Deklarata e përbashkët e socialistëve shkodranë ka ardhur si reagim i qëndrimit të kryetarit të PS-së, Shkodër, Edip Shiroka, lidhur me domosdoshmërinë e zbatimit të statutit të PS-së e për pasojë largimit nga drejtimi i kësaj force politike, të Edi Ramës. Janë 56 anëtarë të asamblesë socialiste të qarkut Shkodër, përfaqësues të delegatëve të kongresit, anëtarëve të këshillit bashkiak, kandidatëve për deputetë, të cilët, në deklaratën e djeshme kanë mbështetur liderin e PS-së, Edi Rama.
"Në emër të shumicës absolute të anëtarëve të Asamblesë Socialiste të delegatëve të Kongresit, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, kandidatëve për deputet, dhe të zgjedhurve në forumet më të larta të PS-së, si përfaqësues të anëtarësisë së Partisë Socialiste të Bashkisë Shkodër, pasi u njohëm me qëndrimet e fundit të Edip Shirokës dhe kërkesën e tij për largimin e z.
Rama, si lider i PS-së deklarojmë se: Këto qëndrime dhe veçanërisht kërkesa për largimin e liderit të PS-së, janë të pamoralshme, të gabuara dhe kanë si qëllim të vetëm "fshehjen" e përgjegjësisë direkte dhe të rëndë të vetë z. Shiroka, për aktivitetin e tij tërësisht të munguar si kryetar i kësaj partie për Bashkinë Shkodër, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, por edhe që nga dita që ky zotëri është zgjedhur në këtë detyrë.
Këto qëndrime dhe kjo kërkesë janë kategorikisht personale dhe nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin real të strukturave dhe as anëtarësisë së PS-së të qytetit të Shkodrës",- thuhet në deklaratën e firmosur nga socialistët e Shkodrës.
Ata theksojnë se, "të kërkosh dorëheqjen e liderit të PS-së, kur sipas rezultateve paraprake PS-ja, rezulton partia më e votuar nga shqiptarët dhe ka siguruar 66 mandate për Kuvendin e Shqipërisë, kur procesi zgjedhor nuk ka përfunduar dhe nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, ndërkohë dhe vetë qarku i Shkodrës është i kontestuar dhe i ankimuar në Kolegjin Zgjedhor do të thotë: Të mos kesh realisht asnjë lidhje me PS-në dhe t'i kontribuosh direkt Sali Berishës dhe klanit të tij nepotiko-familjar dhe pazarit më të ulët mes tij dhe Ilir Metës.
Do të ishte detyrimi minimal për z. Shiroka që në vend të këtij qëndrimi absurd, të sëmurë dhe të pamoralshëm t'u ofronte socialistëve të Shkodrës dorëheqjen e parevokueshme të tij nga pozicioni tërësisht i pamerituar i kryetarit të PS-së të Bashkisë Shkodër".
Më tej deklaruesit vlerësojnë se edhe prononcimet e anëtarëve të kryesisë së PS-së, duke pretenduar përfundimin apo ndërprerjen e mandatit të liderit të PS-së janë të nxituar dhe të parakohshme për sa kohë, që nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe nuk janë shqyrtuar ankimimet e PS-së nga Kolegji Zgjedhor.
"Në këto rrethana kërkojmë që: a) Partia Socialiste e Shqipërisë dhe lidershipi i saj të këmbëngulin pa asnjë tolerancë në zbatimin e ligjit elektoral, duke garantuar leximin real të verdiktit të shqiptarëve dhe veçanërisht të atyre shkodran në këto zgjedhje; b) të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në rast se ky ligj nuk gjen zbatim të plotë dhe transparent duke garantuar leximin real të votës së shqiptarëve".
Në fund të deklaratës theksohet mbështetja pa asnjë rezervë e liderit të PS-së, Edi Rama dhe strukturave të kësaj partie në realizimin e këtyre kërkesave, mbështetje kjo, që sipas socialistëve nënshkrues është pa asnjë ekuivok. Deklarata është shoqëruar dhe me emrat e firmat e nënshkruesve.
Kryetari i PS-së së bashkisë Shkodër, Edip Shiroka, ka deklaruar dy ditë më parë se duhet zbatuar statuti i partisë dhe se shkaku i humbjes duhet kërkuar te dobësia e strukturave të PS-së, mosrespektimi i mendimit të bazës dhe drejtuesve lokalë të PS-së për kandidatët për deputetë
Pjesë nga deklarata e PS-së së Shkodrës:
Të kërkosh dorëheqjen e liderit të PS, kur sipas rezultateve paraprake PS, rezulton partia më e votuar nga shqiptarët dhe ka siguruar 66 mandate për Kuvendin e Shqipërisë, kur procesi zgjedhor nuk ka përfunduar dhe nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, ndërkohë dhe vetë qarku i Shkodrës është i kontestuar dhe i ankimuar në Kolegjin Zgjedhor do të thotë:
Të mos kesh realisht asnjë lidhje me PS dhe t'i kontribuosh direkt Sali Berishës dhe klanit të tij nepotiko-familjar dhe pazarit më të ulët mes tij dhe Ilir Metës. Do të ishte detyrimi minimal për z. Shiroka që në vend të këtij qëndrimi absurd, të sëmurë dhe të pamoralshëm t'u ofronte socialistëve të Shkodrës dorëheqjen e parevokueshme të tij nga pozicioni tërësisht i pamerituar i kryetarit të PS të Bashkisë Shkodër.
Vlerësojmë se edhe prononcimet e anëtarëve të kryesisë së PS, duke pretenduar përfundimin apo ndërprerjen e mandatit të liderit të PS, janë të nxituara dhe të parakohshme, për sa kohë që nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe nuk janë shqyrtuar ankimimet e PS nga Kolegji Zgjedhor.
Në këto rrethana kërkojmë që:
- Partia Socialiste e Shqipërisë dhe lidershipi i saj të këmbëngulin pa asnjë tolerancë në zbatimin e ligjit elektoral, duke garantuar leximin real të verdiktit të shqiptarëve dhe veçanërisht të atyre shkodran në këto zgjedhje.
- Të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit në rast se ky ligj nuk gjen zbatim të plotë dhe transparent duke garantuar leximin real të votës së shqiptarëve.
Ne mbështesim pa asnjë rezervë liderin e PS, z. Edi Rama dhe strukturat e kësaj partie në realizimin këtyre kërkesave pa asnjë ekuivok.