Ish- polici i hekurt, në mbrojtje të të akuzuarve
Sokol Koçiu, doli dje për herë të parë në publik, pas lirimit të tij duke argumentuar vendimin e Strasburgut për Arben Grorin
Sipas ish- drejtuesit të Policisë, i dënuari me burgim të përjetshëm fitoi betejën e tij shtatë vjeçare me shtetin shqiptar
TIRANË- Dy përfaqësuesit ligjorë të Arben Grorit në Gjykatën e Strasburgut, avokatët Sokol Koçiu dhe Ardian Kasapi, në një deklaratë për mediat, bënë publike detaje të vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për çështjen "Grori kundër Shqipërisë", vendim i marrë më datë 7 korrik 2009.
Sokol Koçiu, i bërë i njohur që kur ishte shef komisariati në Vlorë në vitin 2000 më vonë Drejtor atje dhe më pas Shef i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, një ish- oficer karriere, emri i të cilit mban me dhjetëra operacione dhe arrestime, tashmë ndodhet në anën tjetër të "llogores", atë të mbrojtjes së interesave të të akuzuarve të ndryshëm.
Kjo pasi ai tashmë ka fituar të drejtën për të qenë mbrojtës ligjor. Në daljen e tij publike, pak kohë pasi ka lënë qelitë e burgut, e cilësoi vendimin e "Strasburgut", si fitoren e një beteje shtatëvjeçare të Arben Grorit, vendim ky sipas tij që duhet të shërbejë si një mësim për të gjithë shkallët e gjyqësorit në Shqipëri për të dhënë vendime të drejta.
Avokatët që e mbrojtën Arben Grorin në Strasburg, arritën në përfundimin se vendimi që dha Gjykata e Strasburgut, duhet të lexohet me kujdes nga të gjithë drejtuesit e të gjithë shkallëve të gjyqësorit në Shqipëri. "Ky vendim ka rrëzuar një herë e mirë mitin e vendimmarrjes absolute të Gjykatës Kushtetuese dhe Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Sipas Gjykatës së Strasburgut shteti shqiptar ishte njohur që në mars të vitit 2002 që vendimi për dënimin me burg të përjetshëm i Arben Grorit nga drejtësia italiane, nuk duhet të njihet në Shqipëri,- u shprehën avokatët dje në takimin me gazetarët.
Arben Grori, u arrestua më 30 prill 2001 në Itali, në një kohë kur ndaj tij ishte dhënë vendimi për dënimin e tij me burg të përjetshëm për akuzën e vrasjes në Itali. Arrestimi në këtë vit u krye në bazë të një urdhër arresti të lëshuar më 16 shkurt 2001 nga Gjykata e Milanos.
Më 2 shkurt 2001 Arben Grori u dënua në mungesë me burg të përjetshëm nga Gjykata Penale e Apelit të Milanos, për vrasjen e Naim Zyberit në spitalin "San Paolo" në Milano. Por përveç me burg të përjetshëm për akuzën e vrasjes, Grori është dënuar dhe me 15 vjet heqje liri për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike".
Autoritetet italiane dërguan në Ministrinë tonë të Drejtësisë vendimin e dënimit dhënë nga Gjykata e Milanos, duke kërkuar njohjen e tij dhe zbatimin e vendimit në Shqipëri.
Gjykata e Tiranës e pranoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Milanos më 20 qershor 2002, ndërsa një muaj më pas, Gjykata e Apelit në Shqipëri e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Vetë i dënuari me burg të përjetshëm dhe avokatët e tij e dërguan çështjen në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që të shqyrtohej nga Kolegjet e Bashkuara për vetë rrethanat e veçanta të ngjarjes. Më 30 janar 2003, 14 gjyqtarët e kësaj gjykate vendosën t'i prishnin të dy vendimet e shkallëve të para të gjyqësorit dhe ta dërgonin çështjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës.
Sipas tyre, kërkesa italiane për njohjen e vendimit të tyre ishte e jashtëligjshme dhe se midis dy shteteve nuk kishte marrëveshje për transferim dënimesh. Por edhe herën e dytë, me shumicë mendimesh, kjo gjykatë vendosi të pranonte dënimin e përjetshëm për Grorin.
boks- Përfitimet e Grorit pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut
I pyetur për përfitimet e të dënuarit Arben Grori, Sokol Koçiu radhiti tre prej përfitimeve që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtata e Njeriut. Sipas avokat Koçiut, brenda tre muajve nga marrja e vendimit, Arben Grorit do t'i hiqet dënimi i përjetshëm.
Po brenda tre muajve që nënkupton muajin tetor të këtij viti, vetë shteti shqiptar duhet t'i paguajë të dënuarit Grori shumën e 15 mijë eurove për dëmin material dhe jo material. Gjykata ka vendosur që shteti shqiptar duhet t'i paguajë 15 mijë euro Grorit deri më datën 7 janar të vitit 2010, shumë kjo e ndarë në 8 mijë euro për dëm jo material dhe 7 mijë euro për kosto dhe shpenzime të gjyqit.
Përveç detyrimeve financiare, avokatët që kanë mbrojtur Arben Grorin në Gjykatën e Strasburgut, pohuan se pas vendimit të kësaj Gjykate do të ndryshojë dhe trajtimi shëndetësor i të dënuarit.
I dënuari Arben Grori, pas ekzaminimeve mjekësore në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë, pas diagnostikimit u arrit në përfundim se vuante nga "multiple sclerosis", ku sipas mjekëve kjo sëmundje mund të shkaktojë deri dhe vdekjen, nga e cila vuan që nga viti 2003.
Pas datës 7 tetor të vitit 2009, vendimi i Gjykatës së Strasburgut bëhet i detyrueshëm për Shqipërinë dhe nëse autoritetet shqiptare nuk ndërhyjnë, vendimi mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës. Arben Grori sot është 38 vjeç dhe vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.