Turku kundër fabrikës në Nikël
Ndërtimi i një fabrike çimentojë pranë kalasë së Zgërdheshtit nxit debate në mbledhjen e KRRTRSH-së
TIRANË- Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, njëkohësisht edhe anëtar i KRRTRSH-së kërkoi rishikimin e projektit për ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën Nikël të Krujës.
Duke iu referuar të dhënave nga Qëndra e Monumenteve të Kulturës, Turku ka bërë të ditur se, në afërsi të zonës ku parashikohet të ndërtohet fabrika, ndodhet kalaja e Zgërdheshtit, e cila mbart vlera të rralla dhe ka një vizitueshmëri të lartë nga turistët. Po ashtu, sipas tij, në këtë zonë mendohet të ndodhen rrënojat e qytetit antik të Albanopolisit.
"Sipas Qendrës së Monumenteve të Kulturës, vendi parashikohet të ngrihet kjo fabrikë ndodhet afër kalasë së Zgërdheshtit, e cila ka një vizitueshmëri të lartë. Po ashtu, mendohet se në afërsi të kësaj zone ndodhen edhe rrënojat e qytetit antik të Albanopolisit", -tha Turku.
Ndërsa, në rolin e anëtarit të Këshillit të Rregullimit të territorit të Republikës së Shqipërisë, ky i fundit kërkoi nga studioja projektuese që të merrte parasysh edhe mundësinë e zhvendosjes së projektit në një zonë të afërt me vendin ku është parashikuar të ndërtohej në të cilin nuk rrezikohen as kalaja dhe as rrënojat e qytetit të Albanopolisit.
Nga ana tjetër, Kryeministri i vendit theksoi se nuk mund të ndalohet miratimi i një projekti mbi bazën e supozimeve. "Nëse do të hasen rrënoja të tilla, dihet që do të ndërpriten punimet ashtu siç e përcakton edhe ligji, tha ai duke shtuar se ky është një rrëzik që e merr vetë përsipër investitori.
Në lidhje me këtë, do të kryhet një studim mbi ndikimin që mund të kenë shpërthimet e eksplozivëve gjatë nxjerrjes së lëndës së parë për muret e kalasë së Zgërdheshtit. Pavarësisht kërkesës së Turkut, KRRTRSH ndërtimin e fabrikës me kushtin se, do të publikohej në fletoren zyrtare pas kryerjes së një studimi në lidhje me këto pretendime.
Berisha cilëson ambientalistët, antiglobalistë
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ngatërron termat gjatë etiketimit të grupeve ambientaliste, që vazhdimisht kanë kundërshtuar ngritjen fabrikave të çimentos dhe TEC-eve me qymyr në territorin e vendit. Në mënyrë të përsëritur gjatë mbledhjeve të KRRTRSH-së, ky i fundit i ka sulmuar ashpër ata duke i cilësuar si mbrojtës të interesave të mafias.
"Antiglobalistët, nuk bëjnë gjë tjetër veç se mbrojnë interesat e mafias", do t'u shprehte ai një javë më parë gjatë mbledhjes së radhës së KRRTRSH-së. Ndërsa në të njëjtën linjë ka vazhduar edhe dje duke i cilësuar ata si trashëgues të marksizëm-leninizmit.
Sipas termave ndërkombëtare dhe asaj çka specialistët e kësaj fushe shpjegojnë, ka një vijë ndarëse shumë të qartë midis grupeve që me anë të protestave kërkojnë mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet industriale dhe atyre që shprehen kundër unifikimit mbarëbotëror të ekonomisë, kulturës, etj.
Ekspertët e fushës gjithashtu, bëjnë me dije së në arenën ndërkombëtare ka një tendencë të qëllimshme për t'i etiketuar ambientalistët si antiglobalistë, thjesht për të zhvlerësuar pretendimet e tyre.
Vendimet e miratuara në KRRTRSH
1- Shesh dhe leje ndërtimi për fabrikë çimentoje, në komunën Balldre të qarkut e Lezhës.
2- Studim urbanistik dhe shesh i ndërtimit të objektit "Hidrocentral Rrapun 1 dhe Rrapun 2", komuna Librazhd - Qendër, qarku Elbasan.
3- Stadium urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin "Fabrika e Çimentos - Drojë", Mamurras.
4- Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për fabrikë çimentoje, në Komunën Bushat, qarku Shkodër.
5- Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin "Kompleks industrial për prodhimin e çimentos dhe tullave të lehtësuara në Fushë - Krujë".
6- Studim urbanistik pjesor dhe sheshi i ndërtimit të objektit "Kompleks sportiv", në Budëll, Bubq, në qarkun Durrës.
7- Plani i përgjithshëm rregullues Voskopojë.
8- Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Cërrikut.
9- Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Përrenjasit.
10- Detyra e projektimit për studimin urbanistik pjesor të kodrës "Krasta e Madhe", Elbasan.
11- Detyra e projektimit për hartimin e planit të përgjithshëm rregullues të bashkisë Gramsh.
12- Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Librazhdit.
13- Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Belshit.
14- Detyra e projektimit për studimin urbanistik të komunës Bushat në qarkun e Shkodrës. Studimi urbanistik i qendrës së komunës Bushat, zonës industriale gjatë autostradës Tiranë-Shkodër dhe rrugës kryqëzimi Vau i Dejës-Mjedë, si dhe vijat kufizuese të 14 fshatrave të kësaj komune.
15- Detyra e projektimit për hartimin e studimit rajonal dhe mjedisor të rajonit që përfshin bashkinë Vorë, komunën Prezë dhe komunën Bërxull.
16- Masterplani i bashkisë Vorë, detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të bashkisë Vorë, plani rregullues i bashkisë Vorë.
17- Studimi urbanistik përgjatë rrugës së Rinasit, me sipërfaqe të përgjithshme 234.40 ha.
18- Studim urbanistik i zonës turistike të Gjirit të Lalzit.
19- Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 74.3 ha, në jugperëndim të Liqenit të Farkës (pjesë e studimit Rajonal Mjedisor).
20- Leje për shesh ndërtimi për objektin "Zonë Shërbimesh" (pikë karburanti, zyra, hotel, godinë polifunksionale, etj), me sipërfaqe 1.4 ha, brenda studimit përgjatë rrugës së Rinasit.
21- Leje sheshi dhe leje ndërtimi për "Godinë 4 kate", në zbatim të studimit pjesor.