E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-ja ka në krye të agjendës së saj, interesa që godasin imazhin e vendit”

Ministria e Brendshme fton opozitën të heqë dorë nga frymëzimet antirend

Ministria e Brendshme dënoi dje përpjekjen e Partisë Socialiste për të përdorur politikisht ngjarjen kriminale të ndodhur para dy ditësh në Himarë.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria e Brendshme, e cilësoi qëndrimin e Ps-së për këtë ngjarje, si pjesë të agjendës së saj dhe me qëllimin e vetëm, goditjen e imazhit të vendit.
“Edhe për këtë ngjarje, lidershipi i Partisë Socialiste nuk vonoi të vërtetojë para opinionit publik se në krye të agjendës së tij politike qëndrojnë interesa që bien ndesh me interesat e qytetarëve dhe godasin drejtpërdrejt imazhin e vendit”.
Duke vlerësuar punën e Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme i ka kërkuar PS-së, të shkëputet nga qëndrimet antirend dhe e fton këtë parti të mbështesë angazhimin profesional dhe ligjor të saj.
“Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga frymëzimi i qëndrimeve antirend dhe antiligj dhe të shprehë mbështetjen e nevojshme për punën dhe angazhimin profesional dhe ligjor të Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme vlerëson të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e treguar nga Policia e Shtetit për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes kriminale që ndodhi para dy ditësh në Himarë dhe i jep mbështetjen e plotë për të vënë para drejtësisë të gjithë autorët e përfshirë në këtë ngjarje”, përfundon deklarata e Ministrisë së Brendshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›