E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensioni i pleqërisë, kushtet, dokumentet dhe masa e përfitimit

Sqaron Instituti i Sigurimeve Shoqërore

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), llogarit dhe jep përfitime të ndryshme.
Duke sqaruar përfitimet, ISSH, sqaron se të ardhurat që përfitohen nga Ligji nr. 7703, datë 11. 05. 1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, VKM-ve, Udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Udhëzimeve të ISSH-së, janë: përfitimet nga pensionet; përfitimet nga Dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale; përfitimet nga Dega e sigurimit të barrëlindjeve; dhe; përfitimet nga Dega e sigurimit të sëmundjeve.
Për sa i takon pensionit të pleqërisë, mbështetur në bazën ligjore respektive, ISSH sqaron kushtet e përfitimit, dokumentacionin që duhet, si edhe masën e pensionit të pleqërisë.

Kushtet e përfitimit
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur, plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, si dhe të kenë plotësuar: 35 vjet periudhë sigurimi; Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.
ISSH sqaron se, nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi.
Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11. 05. 1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar, bën të ditur më tej ISSH-ja.

Dokumentacioni
Për të përfituar pension të plotë pleqërie përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë.
Përfituesi për pension të plotë pleqërie ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet e nevojshme, tërheq vëmendjen ISSH-ja.
Ndër këto dokumente të nevojshme janë, dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin, të cilat janë: fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi; certifikatë e gjendjes familjare; certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra); kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare dhe; dy copë fotografi.
Ndër dokumentet e nevojshme janë edhe dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës të cilat janë: libreza e punës; vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM; vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme); vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992; vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj); vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët dhe; fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
ISSH-ja sqaron se për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30. 09. 1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe dokumentet të cilat janë: vërtetim i gjendjes gjyqësore; vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik; vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe; çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
Pjesë e dokumenteve të nevojshme sipas ISSH-së, janë edhe dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara, në të cilat përfshihen: vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994) dhe; çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributeve.

Masa e pensionit të plotë të pleqërisë
Për sa i përket masës së pensionit, ISSH-ja sqaron se, masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.
Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve.
Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël.
Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›