E Diel, 1 Nëntor 2026

“SHBA-Shqipëri, partneritet strategjik - tendencat për ‘krisje’, skizofreni e qëllimshme e Edi Ramës”

LSI-ja dënon spekulimet mediatike

Sjellja e opozitës dhe kryetarit të saj, Edi Rama, është një praktikë kryekëput hajdutësh si ajo e Kim Filbit, situatë në të cilën lidershipi i PS-së në mungesë të alternativave konstruktive politike do mbushë boshllëkun me groteskun e tij donkishotesk, duke sajuar dhe mashtruar argumente qesharakë

Lëvizja Socialiste për Integrim konsideron se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së janë të shkëlqyera, pavarësisht kataklizmave të kryeturistit socialist, Edi Rama. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Luan Rama, u shpreh sot se Qeveria shqiptare e vlerëson me të drejtë SHBA-në si partner strategjik.
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve kanë në themel dhe në bazë të tyre jo vetëm vlerat fondamentale të demokracisë, por dhe kontributet e përbashkëta me interes strategjik. Shqipëria e orientuar qartë dhe në mënyrë korrekte e ka konsideruar dhe e konsideron më të drejtë SHBA partner strategjik e lidhur ngushtë kjo me angazhimet euroatlantike të Shqipërisë dhe pikërisht për këtë shkak të rolit shumë korrekt dhe serioz që Shqipëria luan në rajon dhe më gjerë në kuadër të paqes dhe sigurisë globale ka merituar të jetë partner preferencial të SHBA në këtë pjesë të botës nga njëra anë. Natyrisht, që në të gjithë këtë histori marrëdhëniesh të konsoliduara dhe padyshim të shkëlqyera, roli, kontributi i zotit Meta si personal ashtu dhe politik i spikatur në këto 20 vjet është i konfirmuar, është produktiv dhe është vlerësuar si i tillë në të gjitha forumet apo institucionet politikbërëse në SHBA”, deklaroi dje Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.
Ai sqaroi se zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta s’ka dërguar asnjë letër ankese drejt Uashingtonit, për ambasadorin ëithers. Në këtë sens, zyrtari i LSI-së theksoi se tendencat për keqpërdorim të raporteve dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, janë pjesë e një skizofrenie të shfrenuar të kryetarit të opozitës, Edi Rama.
“Më lejoni gjithashtu ta fokusoj pak më qartë përgjigjen time tek thelbi i pyetjes suaj në lidhje me letrën e shumë përfolur dhe të keqpërdorur. Praktika e shkëmbimit të letrave midis Ministrit të Jashtëm dhe ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri është një praktikë rutinë e burokracisë diplomatike midis të cilës shprehen opinione apo shprehen konsiderata apo qëndrime të ndryshme dhe që kanë të bëjnë me gjithçka që ka të bëjë me qeverinë që përfaqësohet nga Ministri i Jashtëm dhe me vendin që përfaqëson ambasadori i akredituar në Shqipëri. Ilir Meta shprehu qartë se nuk ka ndonjë letër ankese të tij drejtuar as sekretares së shtetit dhe as ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, lidhur me ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri”, tha më tej, Luan Rama, duke shtuar se marrëdhëniet e z. Meta me z. Uithers dhe me Ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, kanë qenë gjatë gjithës kohës që ai ka ushtruar detyrën e përfaqësuesit të qeverisë amerikane në Shqipëri, të shkëlqyera.
Nisur nga spekulimet e fundit dhe qëndrimet absurde, kryesisht në heshtje që të kujtojnë veprimtaritë e paligjshme të rrjetit të spiunazhit të hershëm, Edi Rama me fantazinë prej çmenduraku po përjeton veprimtarinë e errët të një Kim Filbi në kohët moderne.
“Natyrisht që komentet, keqpërdorja me tendenca të spikatura skizofrenie të bëra në mënyrë të qëllimshme nga kryetari i PS-së nuk cenojnë thelbin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis z. Meta dhe z. Uithers, nga njëra anë, dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA-ve nga ana tjetër, përveçse pasqyrojnë faktin se të tilla praktika të sjellin në kujtesë historitë e Kim Filbin, historitë e 60 viteve më parë, të cilat mesa duket janë preferenciale për kryetarin e Partisë Socialiste, i cili në mungesë të alternativës, në mungesë të kontributeve reale kërkon të na shfaqet si një Kim Filbi i kohërave të reja historitë midis Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe në fakt e bëjnë atë të jetë shumë më grotesk dhe shumë me qesharak sa vetë Don Kishoti dhe historitë e tij”, deklaroi në reagimin e tij publik, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›