PS-ja kuptoi marrëzinë e Ramës për referendumet
Pasi vodhi kauzat e shoqërisë civile dhe i shndërroi në parakushte të politikës së bllokimit, me kërkesën për të hedhur në referendum edhe çështjen e kufijve, lideri i PS tregoi se s’ka respekt as për Kushtetutën e as për parlamentin. Partia më e madhe në opozitë ka kuptuar se kryetari i saj s’e ka staturën e shtetarit, prandaj nxitoi dje të riparonte dëmin, duke shpallur se s’ishte për referendum e se ishte gabuar në parakushtet e shqiptuara dy ditë më parë
Zelli i tepruar i Edi Ramës, që për inat të mazhorancës të kërkonte referendum për referendum, përveçse “e nxori zbuluar” atë dje, ku edhe Vasilika Hysi nuk kishte si “ta mbulonte”, rikonfirmoi edhe një anë tjetër..., marrëzinë e radhës së kreut të PS-së, në vargun e marrëzive të shumta. Dhe marrëzia më e fundit kishte të bënte me atë, që Edi Rama nuk e kishte lexuar Kushtetutën, kur vetë, por edhe amplifikatorët e tij, Fatmir Xhafaj e Mimi Kodheli, bërtisnin për “referendum edhe për kufijtë detarë”.
Pasi vodhi kauzat e shoqërisë civile dhe i shndërroi në parakushte të politikës së bllokimit, me kërkesën për të hedhur në referendum edhe çështjen e kufijve, lideri i PS tregoi se s’ka respekt as për Kushtetutën e as për parlamentin.
Por..., “kush shkon pas brumbullit, përfundon në bajga”, thotë një frazë e urtë popullore...
Dhe menjëherë sapo “brumbulli” lançoi “lëvizjen politike” më të re, atë të “referendumit për referendum” për inat të mazhorancës, i vajtën pas, fillimisht Fatmir Xhafaj...
“Ne jemi dakord të shkojmë në një referendum popullor ku të trajtohen 4 çështje madhore (midis ët cilave)…, ndalimi i marrëveshjes për cenimin e kufirit detar”, gërthiste Fatmir Xhafaja në 7 gusht 2012.
… Më pas edhe Mimi Kodheli…
“Por bashkë me votën për kufizimin e imunitetit…, të kërkojmë mendimin e qytetarëve për marrëveshjen e kufijve detarë”, klithte Mimi Kodheli në 8 gusht 2012.
Edi Rama, jo…, por as Fatmir Xhafaj e Mimi Kodheli nuk e dinin se shumë me herët se data 7 apo 8 gusht 2012, saktësisht që prej 28 Nëntorit 1998, Republika e Shqipërisë ka një Kushtetutë të saj. Dhe kjo Kushtetutë, në nenin 151/2 të saj thotë, “Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes se jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum”.
Por rruga “drejt bajgave”, duket se u kuptua vetëm dje, se nuk ia vlente të ndiqej.
Për këtë barra i kishte rënë Vasilika Hysit, e cila ndërsa nxitoi të riparonte dëmin, duke shpallur se s’ishte për referendum e se ishte gabuar në parakushtet e shqiptuara dy ditë më parë, njëherazi “kishte fshirë” nga deklarimet e suflerëve Fatmir Xhafaj e Mimi Kodheli togfjalëshin “referendum edhe për kufijtë detarë”.
Tërheqja e Vasilika Hysit gjithsesi e ka një të mirë të madhe… Jo atë të sfumimit të dënglave për “referendum edhe për kufijtë detarë”, se sa rikonfirmimin e marrëzisë së radhës të Edi Ramës. Të paktën, më në fund, vetëm dje partia më e madhe në opozitë arriti të kuptojë se kryetari i saj s’e ka staturën e shtetarit..., kur as me Kushtetutën nuk “merr mundimin” të konsultohet..., para se të degdisë në bajga gjithë ata që i venë qorrazi nga pas.