“PS-ja, nuk ka vizion për të ardhmen, s’mund të qeverisë ndonjëherë vendin”
Deklaron Edlira Haxhiymeri
Anëtarja e Asamblesë së PS-së Edlira Haxhiymeri shprehet se PS nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi të tilla si qeverisja e vendit, porsa kohë nuk ka një vizion për të ardhmen e saj politike.
Haxhiymeri ka theksuar se ajo nuk është optimiste për situatën brenda PS-së pasi ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme kishte mangësi edhe tani nuk ka pasur ndryshime në strukturën e PS-së.
Ajo gjithashtu thekson se ka varfëri politike dhe intelektuale në PS dhe nuk shihen alternativa për çështje të ndryshme.
Në lidhje me deklaratat e kreut të PS-së se mund të ketë edhe mosbindje civile, Haxhiymeri theksoi se thirrje të tilla nuk janë karakteristike për PS-në.
“Partia Socialiste e ka vendin e saj në Parlament, por fatkeqësisht është jashtë saj.
PS-së tashmë i mungon vizioni për të ardhmen. E ndodhur në këtë fatkeqësi, opozita po krijon axhenda afatshkurtra çka nuk po sjell rezultatin e duhur. Vendimmarrjet që janë marrë kanë qenë të pamenduara dhe jo vendimmarrje politike, por të marra nga individë që janë pranë kryetarit dhe që kanë një perceptim të gabuar të realitetit”, u shpreh anëtarja e Asamblesë së PS, Edlira Haxhiymeri.
Qëndrimi i një prej përfaqësuesve të Partisë Socialiste, vjen në kuadër të kritikave të adresuara në drejtim të kryesocialistit dhe kastës së ngushtë që drejton sot partinë më të madhe të opozitës.