E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, si agjenci funeralesh nekropolitike

19-01-2012 / Redaksionale

Ca kalamaj të hipnotizuar me në krye Erion Veliajn shëtitën dje në bulevard me në krah një arkivol. Ndonëse disi të rinj për të menduar kaq shpejt vdekjen, FRESH-i si aksion të parë me në krye sekretarin rinor Veliaj pati punën e një agjencie funeralesh. Vakia rinore pati një kortezh të zymtë në një ditë me diell dhe ndiqej nga një këngë morti, e cila titullohej shkurt: “drejtësia vdiq”. Teksti, si duket, qenka shkruar nga skenaristi i vdekjes Edi Rama, një njeri pa brejtje ndërgjegje, i cili organizoi grupin me “agjendë tjetër – sipas përkufizimit të ambasadorit amerikan z. Arvizu” në demonstratën e dhunshme të 21 janar 2011, aty ku hyri në skenë vdekja. Ky spektakël i ngjashëm me aksionet e hershme të fondacionit “Mjaft” vërtetoi kthimin e Forumit Rinor Eurosocialist në një shoqatë jofitimprurëse. Një nga përfaqësueset e FRESSH të Degës së Tiranës gjatë procesionit para kryeministrisë komentoi arsyen dhe simbolikën e kortezhit mortor:“Sot ne varrosëm drejtësinë shqiptare”. E pyetur befas sesi e shikonte ajo drejtësinë shqiptare, përgjigja ishte një ngritje supesh të imta e shoqëruar  veç  me një fjali: “Edi e ka në program drejtësinë e re”. Me siguri ndonjë ide për drejtësinë kreu e PS-së duhet ta ketë përderisa bashkëpunon ngushtë e thellë me qeverinë  e lartë të drejtësisë. Me siguri ndonjë ide për prokurorinë e ka ai përderisa feston Krishtlindjet në një ambient të njohur për zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Sakaq refreni nekropolitik si “drejtësia vdiq” është një rekuiem i arranxhuar  enkas pas 8 majit, pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e fundit të Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm procesin zgjedhor,  në Tiranë. Natyrisht është i pranueshëm fakti që shtojca rinore e Ramës flasin për vdekje, për kapitullim sepse diçka brenda liderit të tyre ka vdekur një ide, ka kapitulluar një vizion, ka dhënë shpirtin artisti shumëngjyrësh. Ai nuk është më i pari, i vetmi, burri i familjes, njeriu që vendoste në bashkinë në Tiranë, etj.  Është e vështirë të kuptohet ndryshe keqardhja për një piktor-politikan, që ka investuar emocione, ndjesi, dashuri, shurdhëri, pandjeshmëri përgjatë një dekade në studion e punës së bashkisë. Megjithatë është e pakuptueshme përse në mendjen e të rinjve të FRESH kultivohet  ideja e “vdekjes së drejtësisë” si një akt politik kundër sistemit të pavarur të drejtësisë, jashtë ndikimi direkt të qeverisë. Më e çuditshmja është se Erion Veliaj dhe Edi Rama na folëm para do ditësh për një rifreskim të koncepteve politike. Mirëpo këto procesione demonstrative janë të turpshme për një forum rinor socialist që duhet të rrezatojë shpresë, ide të reja dhe jo një riprodhim të dukshëm nekropolitikës së Ramës, që nga gërvishtja e tragjedisë së Gërdecit, të përmbytjes në veri-perëndim të vendit, tek martirizimi i panafakëve të 21 janarit. Këto akte politike të PS-së mishërojnë anulimin nihilist të realitetit, të shtrembërimit të fakteve me shtytje primitive. Sipërmarrja e nekropolitikës po kushtëzon daljen e PS nga agjenda e saj nihiliste, me zhvlerësim e përbuzje të çdo reforme dhe veprimtarie të ardhur nga mazhoranca qeverisëse. Sidozot dhe  ideja e bërjes së gropës jo vetëm “armikut” por dhe “mikut” prej Ramës është një sipërmarrje që identifikohet në sjelljen përjashtuese kundër Nanos, Meidanit, Islamit, e shumë socialistëve me kontribute të veçanta brenda kësaj partie. Problemi i kësaj sjellje është transferimi i kulturës së vdekjes në forume dhe struktura që duhet të japin mesazhin e shpresës së nesërme. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›