Berisha: Rama e do taksën progresive për grupin e biznesmenëve që s’e sponsorizojnë më
“Që kur humbi Bashkinë s’i japin asnjë kacidhe sepse s’ka më leje ndërtimi. Deri dje, sa ishte kryetar bashkie nuk e përmendi ndonjëherë taksen progresive”
Kryeministri Sali Berisha u ndal sërish dje gjatë mbledhjes së Qeverisë te modeli ekonomik i Shqipërisë, ku sipas tij ka rezultuar i suksesshëm, sepse bazohet te taksat e ulëta dhe nxitja e investimeve. Në këtë pikë, shefi i ekzekutivit hodhi poshtë dhe njëherë propozimin e Partisë Socialiste për zëvendësimin e taksës së sheshtë me taksën progresive. Sipas kryeministrit, Rama nuk shqetësohet për xhepat e qytetarëve, por përmes ndryshimit të ligjit të taksave me taksën progresive, kërkon të vjelë ata të cilët tashmë si kontrollon dot më si dikur, shpurën e biznesmenëve pranë PS-së. “Unë ju garantoj që zoti Rama këtë problemin e taksës progresive, nuk e ka për gjë tjetër veçse për atë grupin e biznesmenëve të tij, që tani nuk e sponsorizojnë më, që kur iku nga bashkia. Tani edhe drekat që shtron rroftë Gjushi se nuk i afrohen më as Fideli dhe as ata të tjerët, të cilët nuk japin më asnjë kacidhe, sepse nuk ka më leje duke bllokuar lejet e të tjerëve, por kjo nuk mund të na udhëheqë ne. Politika nuk bëhet me inate, as me kundërshtira. Se deri dje, sa ishte kryetar bashkie nuk e përmendi ndonjëherë taksen progresive. A pati ai ndonjëherë ndonjë program për bashkinë e Tiranës, a e dëgjuat ju ndonjëherë të thotë se do të rrisë taksat? Asnjëherë. Pra si përfundim politika e tij e taksave është furtunë në një gotë ujë, e cila më shumë kërkon të frikësojë një grup që s’mund ta kontrollojë më, sepse në fakt, ata e kanë kontrolluar gjithmonë atë, por përsëri ishte reciproke, ndërsa tani nuk kanë më ndonjë pasion për të”- u shpreh Berisha. Këshilli i Ministrave miratoi kuadrin makroekonomik fiskal për periudhën 2013-2015, dy vite këto, të cilat sipas kryeministrit Berisha, janë përcaktuese për suksesin e mandatit të tretë. Berisha tha se mazhoranca shkon para shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, me një projekt konkret fiskal dhe ekonomik, me rritjen e pagave dhe pensioneve, investime në infrastrukturë duke finalizuar ndërtimet e segmenteve rrugore nga jugu në veri, konkludimin e reformës në shëndetësi, projekte këto të cilat synojnë realizimin e objektivit “Shqipëria vend i zhvilluar”. “Natyrisht atë e përcaktojnë shqiptarët me votën e tyre, por po të kërkosh votën do të përgatitesh, do të përgatisësh ofertën tënde, projektin tënd dhe kjo me vepra konkrete dhe jo me fantazi bajate e boshe. Ky program parashikon rritje të mëtejshme ekonomike të Shqipërisë dhe këto dy vite janë vendimtare në mandatin që do të shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Parashikojmë rritjen e rrogave dhe te pensioneve, parashikojmë kompletimin përfundimtar të infrastrukturë së Shqipërisë me infrastrukturën më moderne, parashikon ndërtimin, përfundimin e dhjetëra e dhjetëra objekteve te mëdha të përpunimit të ujërave të zeza në të gjithë ultësirën bregdetare dhe me gjere, parashikon progres të madh në pyllëzimin me dru frutorë të vendit, parashikon garantimin e të gjithë parametrave makro-ekonomikë për të garantuar stabilitetin e ekonomisë shqiptare, pra është një program që bazohet në qindra e qindra shkolla të reja, qendra shëndetësore e spitale moderne, bazohet në finalizimin e një rrjeti rrugor për Shqipërinë, më moderni në rajon dhe më gjere, me një rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. E gjitha kjo duke mbajtur Shqipërinë, vendin e barrës fiskale më të ulët në Evropë. Shqiptarët kanë përfituar më shumë se kushdo tjetër nga modeli ekonomik i bazuar në taksa të ulëta”- tha më tej kryeministri.
Arrorët dhe ullinjtë, fermerët do marrin këtë vit shpërblimin
Në mbledhjen e djeshme, Qeveria diskutoi dhe miratoi një sërë projektligjesh. Duke u ndalur në disa prej tyre, kryeministri Berisha bëri me dije se granti i qeverisë për financimin e projekteve për arroret dhe ullinjtë, do të shtohet për të gjitha pemët. Kryeministri bëri të ditur se kërkesat për aplikime nga fermerët kanë qenë shumë më të larta se parashikimi dhe garantoi se të gjithë ata, të cilët kanë mbjellë më përputhje me kriteret dhe kanë zbatuar projektet, do të marrin këtë vit shpërblimin e tyre. “Qeveria i përgëzon këta fermerë dhe i garanton se ndonëse ka qenë një kërkesë shumë e madhe për aplikime, ne i qëndrojmë premtimit tonë për të gjithë ata që kanë mbjellë në përputhje me kriteret dhe kanë zbatuar projektet, ata do të marrin këtë vit, pavarësisht se janë mbi planin, shpërblimin e tyre”- tha kryeministri. Kryeministri Berisha garantoi fermerët se qeveria do të bëjë gjithçka për të rritur ndjeshëm mbështetjen ndaj tyre si dhe për të mbështetur fuqimisht industrinë e agro-përpunimit, e cila do të zgjidhë vështirësitë që krijohen mes tregut dhe prodhimit. Po kështu, një tjetër projektligj i veçuar nga kryeministri Berisha ishte dhe ai “Për shërbimin përmbarimor privat të ndryshuar”. “Dy vjet më parë krijuam ligjin, i cili rezulton efikas, i dobishëm në zbatimin e vendimeve të gjykatave, i suksesshëm, ndaj brenda këtij viti do të ketë vetëm një shërbim të tillë. Përmbaruesit e sistemit publik aktual do të marrin licensën e privatit menjëherë sapo të shkëpusim marrëdhënien aktuale”- tha Berisha. Gjithashtu, duke kaluar tek një tjetër pikë e axhendës së punës së djeshme, Kryeministri u shpreh se “për shkollën 9 vjeçare në Korçë, Naim Frashëri ne do të vendosim një kuotë ushqimore në këtë shkollë, e cila në tërësi ka nxënës rom, por ne duhet të identifikojmë dhe të tjera raste, me qëllim tërheqjen e tyre nëpër shkolla”.
Kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve konsolidon sistemin arsimor
Kryeministri Berisha u fokusua gjithashtu dje, tek arsimi, si një ndër përparësitë më madhore të qeverisë dhe tek mësuesi, i cili do të mbetet në epiqendër të përpjekjeve për një kualifikim dhe zhvillim të mëtejshëm profesional. Duke theksuar se gara e dijes është gara kryesore në këtë vend, kryeministri Berisha vlerësoi si një arritje të madhe dyfishimin dhe mbidyfishimin e rrogave të arsimtarëve, brenda një harku kohor të shkurtër. Kryeministri tha se politika e vendosjes së mësuesit në piedestalin që meriton, duke krijuar të gjitha kushtet dhe mundësitë që ai të përmbushë misionin e tij, u shoqërua edhe me ndryshime te thella dhe rrënjësore të sistemit arsimor. Tanimë – u shpreh kryeministri, - nuk ka më largime nga ky sistem, por është e kundërta. Ka kërkesa të shumta për punësim në këtë sistem të vajzave dhe djemve të arsimuar. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se vetëm një sistem që garanton kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve të vendit, konsolidon gjithnjë e më tej sistemin arsimor. Berisha u shpreh se pas arritjeve të rëndësishme në fushën arsimore si shtrirja e internetit në çdo shkollë, e më pas në çdo klasë, ndërtimi dhe rindërtimi i rreth 60 % të shkollave ekzistuese të vendit, ndryshimet rrënjësore në pajisjen e bazës laboratorike, si dhe në kurrikul, etj, ministria e arsimit dhe qeveria do të gjejë të gjitha mënyrat për të përparësuar dhe për të vendosur në krye të përpjekjeve të saj cilësinë e degëve dhe fakulteteve të mësuesisë. “Këtë vit duhet të ndërmarrim të gjitha reformat, dhe të gjitha vendimet në mënyrë që degët dhe fakultetet e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë. “Është e domosdoshme të adaptojmë dhe të përshtatim kriteret, format më të suksesshme që ekzistojnë, të studiojmë praktikat më të mira evropiane në përgatitjen e mësuesve dhe të investojmë në zbatimin e tyre në Shqipëri”- u shpreh Berisha.