PS kallëzon Ristanin: Po falsifikon rezultatin e zgjedhjeve
Partia Socialiste kallëzon në Prokurori kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve. Në padinë e dorëzuar dje në Prokurorinë e Tiranës, PS hedh dyshime se kreu i KQZ-së mund të jetë nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, ndaj edhe i kërkohet organit të akuzës të kryejë ekspertimin toksikologjik dhe vlerësimin e gjendjes psiqike të të kallëzuarit. Padia e firmosur nga sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, përfshin edhe 3 anëtarët e djathtë të KQZ-së, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj, për të cilët kërkohet fillimi i ndjekjes penale. Në padinë penale të Partisë Socialiste përshkruhet ecuria e procesit të zgjedhjeve, që prej numërimit të kutisë së fundit e deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, e cilësuar kjo si një skemë për të manipuluar rezultatin përfundimtar të Tiranës. “KQZ ndaloi publikimin e tabelave të rezultatit, si dhe bllokoi faqen e internetit, pa dhënë asnjë arsye. Duke filluar nga data 15 Maj dhe në ditët në vijim nga ana e mazhoranës qeverisëse, u përgatit një skemë për të manipuluar rezultatin përfundimtar, skemë e cila nuk mund të jepte rezultat pa ndihmën dhe veprimet e kundraligjshme të anëtarëve të kallëzuar të KQZ-së”, - thuhet në padinë e firmosur nga Fatmir Xhafaj. Ky i fundit ka cituar nenet 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor, sipas së cilave votat e hedhura në kutitë e gabuara janë cilësuar si të pavlefshme, deri në daljen e rezultatit paraprak për Tiranën. Më tej, numëruesit dhe anëtarët e KZAZ-ve, të propozuar nga Koalicioni për Qytetarin, ndryshuan qëndrimin, duke i konsideruar votat e pavlefshme si “të kontestuara”. Partia Socialiste pretendon se ky proces është bërë në mënyrë selektive në disa njësi bashkiake, duke identifikuar kutitë ku rezultonin si vota të pavlefshme, ato që mund të ktheheshin votat për të ndryshuar rezultatin. Padia e PS-së e cilëson aktin e miratuar me votat e 4 anëtarëve të KQZ-së të kundraligjshëm. “Në datën 16 Maj është depozituar nga ana e PS edhe Kërkesa Ankimore në KQZ, në mbështetje të nenit 122 e 35 të Kodit Zgjedhor për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Sipas Xhafajt, procedura e ndjekur nga KQZ për numërimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara është në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 122 dhe veçanërisht nenit 123, i cili qartësisht përcakton se nuk mund të ndryshohen tabelat e miratuara nga KZAZ dhe as ato të QV të numëruara, përveç rastit kur ka një gabim material ose në alternativë. Partia Socialiste denoncon edhe rrethimin e KQZ-së nga forcat e policisë, si presion ndaj anëtarëve të maxhorancës në KQZ. Në padi thuhet se kutitë e votimit dhe të materialeve zgjedhore janë transportuar për në KQZ pa vendimmarrje ligjore, duke krijuar mundësinë praktike për falsifikime dhe manipulime në to. Nga ana tjetër përmenden edhe parregullsi, si mospërputhja e kodeve të një kutie dhe gjetja e një flete votimi, me vulën e një qendre tjetër. E gjithë kjo praktikë, sipas PS-së, ka sjellë krijimin e të dhënave të rreme në tabelat e qendrave të votimit, duke falsifikuar rezultatin zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. “Për shkak të rëndësisë së veçantë që paraqesin faktet e mësipërme, i kërkojmë Prokurorisë si organi kushtetues i ushtrimit të ndjekjes penale, të hetojë me shpejtësi, objektivitet dhe paanësi këto veprime të kundraligjshme, duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore’, - thuhet në padinë e dorëzuar dje në Prokurorinë e Tiranës.