E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi, votë në kutinë e gabuar

Në kulmin e debatit për vlefshmërinë e votave të hedhura në kutinë e gabuar zbulohet se këtë ngatërresë e ka bërë edhe Presidenti Bamir Topi. “TV Klan” ka transmetuar dje pamjet filmike të votimit të Presidentit dhe familjes së tij, në shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” në njësinë 9, sipas së cilave dallohet edhe hedhja e votës në kutinë e gabuar. Kreu i shtetit, i paorientuar nga personi i caktuar pranë katër kutive të votimit, ka hedhur votën e tij me shirit të verdhë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në kutinë për kreun e njësisë bashkiake, e cila dallohej prej ngjyrës kafe. Më tej, ai ka hedhur në kutitë e duhura votat për këshillat bashkiakë, për të dhënë më pas mesazhin e tij, për një proces të paqtë e me standarde. Votat e gjetura në kutitë e gabuara kanë tensionuar sërish situatën politike në vend, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i numëruar ato para kamerave. Prej dy ditësh, KQZ-ja ka marrë atributet e një KZAZ-je për Tiranën, ndërkohë që jashtë ambienteve të këtij institucioni janë mbledhur dhjetëra simpatizantë, të drejtuar nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët protestojnë kundër këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›