Tension e këngë para KQZ-së, lëndohen 2 policë
Tiranë- Numërimi i votave në KQZ është shoqëruar për të dytën ditë radhazi nga thirrjet e protestuesve jashtë godinës. Grumbullimi i tubuesve pranë këtij institucioni nisi rreth orës 09:30, vetëm pak minuta përpara se kryetari Arben Ristani dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së të nisnin procesin e numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara. Ndryshe nga një ditë më parë, Policia e Shtetit kishte shtuar forcat, duke rrethuar të gjithë perimetrin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Situata fillimisht u duk e qetë, kur njerëzit lëshonin parulla kundër qeverisë e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. Pak minuta më pas, situata u ndez, pasi simpatizantët dhe deputetët e PS-së nisën të konfrontoheshin me policinë, duke tentuar të çanin rrethimin dhe të hynin në oborrin e KQZ-së. Por këto tentativa duket se ishin vetëm spontane, pasi gjatë gjithë ditës së djeshme, mbështetësit e Partisë Socialiste kanë tentuar 8 herë të konfrontohen me policinë, por nuk kanë arritur t’ia dalin të çajnë rrethimin e tyre. Gjatë këtyre tentativave të herëpashershme kanë mbetur të lënduar dhe dy efektivë të Policisë së Shtetit, ku njëri prej tyre është dërguar me shpejtësi në spitalin Ushtarak, ku ka marrë mjekimin e duhur dhe më pas është dërguar në shtëpi. Nga ana tjetër, mbështetësit e Partisë Socialiste brohorisnin sapo merrnin informacione në lidhje me protestat që po zhvilloheshin në qytete të tjera të vendit, ku dhe ishin bllokuar disa rrugë. Pas çdo informacioni të marrë, brohorisnin në kor emrin e qytetit. E njëjta situatë ka vazhduar deri rreth orës 15:00, ku mes thirrjeve kundër KQZ-së, brohoritjeve në mbështetje të qyteteve të tjera të vendit dhe tentativave për të hyrë brenda institucionit, protestuesit janë larguar duke zbrazur sheshin përpara KQZ-së, por me premtimin se do të ktheheshin sërish aty rreth orës 17:30. Pas disa orësh pushim, rreth orës 17:20 minuta, sheshi përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve filloi sërish të mbushej me mbështetës të Partisë Socialiste, por këtë herë të ardhur dhe nga qytete të tjera të vendit, si Fieri, Elbasani e Durrësi. Edhe pse numri i mbështetësve ishte rritur disi nga paraditja, sërish tentativat e tyre për të çarë rrethimin e policisë nuk dhanë rezultat. Po të dëgjoje dialogët mes protestuesve dhe punonjësve të policisë, kuptoje se strategjia ishte tensioni i situatës, pa kapërcyer ‘pikën e vlimit’. “Mos u mërzisni, se kjo është thjesht që të shikojë Berisha se çfarë bëhet. Por do jenë Fieri, Vlora e Tepelena, ato që do i vënë vulën kësaj pune. Rrini të qetë se nuk kemi gjë me ju. Ju jeni njësoj si ne” – u drejtoheshin protestuesit efektivëve të policisë. Situata nisi të qetësohej kur rreth orës 20:00, protestuesit nisën të këndonin vargjet e Himnit Kombëtar, por edhe vargjet “Eja mblidhuni këtu, këtu”. Gati 12 orë pas nisjes së “rrethimit” të KQZ-së, protestuesit u larguan me qetësi, por duke shprehur këmbënguljen se do të riktheheshin sërish ditën e sotme, në numër edhe më të madh.