Majko: Pse të mos hapet dhe çështja e Shën Naumit?
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Shkupit për shënimin e vijës kufitare, por nuk u shpëton dot komenteve të forta lidhur me konfliktet që ngjall kjo çështje mes dy vendeve. Duke komentuar kundërshtimin e marrëveshjen nga ana e opozitës maqedonase me pretendimin se nga dokumenti Kosovës i falen 150 metra toke, ish-kryeministri Majko i kujton asaj Shën Naumin. “Opozita ka detyrë të shfaqë dyshimet e veta në çdo rast, por mendoj se në marrëdhënie me shqiptarët askush nuk mund të vërë dyshime të natyrave kufitare. Për të qenë të sinqertë ne jemi një gadishull i cili po integrohet në Bruksel dhe nuk besoj se hapja e çështjes së kufijve për kaq apo aq metra në marrëdhënie me shqiptarët do të përbënte një motiv të mirë politik, në radhë të parë për stabilitetin e brendshëm të Maqedonisë. Imagjinoni ç’do të ndodhte, për shembull, sikur Shqipëria të rihapte dosjen e Shën Naumit apo natyra të ndryshme problemesh. Mendoj se këto gjëra i ka mbyllur historia e së kaluarës dhe mendoj që tanimë, me vendimin e marrë nga parlamentet e të dy vendeve, është hapur një kapitull shumë i rëndësishëm i cili shpresoj që të ndërtojë dhe të bazohet në një marrëdhënie vitale dhe cilësore në atë që quhet marrëdhënie e brendshme midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit është akoma një marrëveshje e pambyllur që do të thotë se ajo është në pritje dhe të gjithë shqiptarët, qofshin në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, janë duke pritur që ky hap i sapohedhur, i rëndësishëm gjeopolitik të shoqërohet me hapa të tjerë”, - shprehet Majko. Ndërkaq, ai vlerëson faktin qe kjo marrëveshje u arrit nga qeveria “Gruevski” pas incidentit të shkaktuar nga botimi i enciklopedisë së re të Maqedonisë.