E Diel, 1 Nëntor 2026

PS kërkesë për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi sot kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, i cili do të ketë një mandat 9-mujor.

Komisioni do të ketë si objekt reformën administrative të qeverisjes vendore duke u fokusuar te funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe nivelin rajonal.

Konkretisht, Komisioni i Posaçëm do të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të vetëqeverisjes vendore, në vijim të ndarjes së re administrativo-territoriale.

Po ashtu do të bëjë analizën e funksioneve, kompetencave dhe shërbimeve publike vendore dhe propozimet për thellimin e decentralizimit.

Komisioni do të bëjë analizën e sistemit të financave vendore dhe propozimet për forcimin e decentralizimit fiskal dhe të qëndrueshmërisë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Po ashtu do të analizojë propozimet për nivelin rajonal dhe zhvillimin rajonal, në funksion të politikës së kohezionit dhe të fondeve të Bashkimit Europian.

Një tjetër aspekt i veprimtarisë së Komisionit do të jetë sigurimi i përputhshmërisë së propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.

Gjatë veprimtarisë së tij Komisioni do të zhvillojë një proces konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Komisioni do të paraqesë përpara Kuvendit projektligjet dhe të relacionet shoqëruese, brenda afatit të veprimtarisë së tij.

Në realizimin e objektit të tij, Komisioni i Posaçëm do të shqyrtojë dhe të propozojë ndryshimet e nevojshme në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”; në ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, në ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, si dhe në çdo akt tjetër ligjor që lidhet me objektin e veprimtarisë së tij.

Komisioni i Posaçëm do të ndjekë zbatimin e ligjit dhe të masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, dhe të bashkërendojë punën me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore për çështjet e përfaqësimit.

Ai do të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, me kryetar përfaqësues të shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetar përfaqësues të pakicës parlamentare, dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati 9-mujor nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij.

Pranë Komisionit të Posaçëm do të ngrihet grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, numri, përbërja, organizimi dhe detyrat e të cilit të përcaktohen me vendim të Komisionit, si dhe të funksionojë Sekretariati Teknik, i përbërë nga administrata e Kuvendit dhe ekspertë të kontraktuar.

Po ashtu, Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë konsultime me ministrat përgjegjës për fushat e fazës së dytë, me institucionet dhe agjencitë në varësi të Këshillit të Ministrave, me institucionet në varësi të Kuvendit dhe me institucionet e pavarura, si dhe me kryetarët e bashkive, shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore.

Në fokus të punës së tij do të jetë organizimi i seancave dëgjimore, tryezave të punës dhe diskutimeve publike. Komisioni do të ftojë Delegacionin e Bashkimit Europian, Këshillin e Europës dhe Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, Prezencën e OSBE-së dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për asistencë dhe ekspertizë teknike.

Të gjitha organet shtetërore, ato publike dhe institucionet e pavarura kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionin e Posaçëm, si dhe të vënë në dispozicion të tij, pa vonesa, çdo dokumentacion apo informacion që kërkohet nga Komisioni për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij.

Nga ana tjetër, Kuvendi duhet të marrë masa për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen financiare, logjistike e me burime njerëzore të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, të grupit të ekspertëve dhe të Sekretariatit Teknik.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›