E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, kriza e personaliteteve

MOIKOM ZEQO 

A ka në PS personalitete, apo nuk ka, ja një dilemë hamletiane.Në elektoratin e majtë ka një numër personalitetesh të kulturës dhe të rrafshit shkencor kombëtar, por jo në PS.
Pse jo në PS? Në fakt në PS ka disa personalitete, e thonë mendimin e tyre hapur, pa frikë, por në përgjithësi PS është kolonizuar nga një grumbull ...personazhesh fiktive, të bërë të njohur vetëm nga alkimia false mediatike. Në fakt janë të rëndomtë dhe u mungon substanca e personalitetit të vërtetë. Duke mos qenë të vërtetë janë askushi, sapo u skadon mandati i deputetit kthehen në identitet, domethënë në anonimë. Mediatizimi i tyre i kotë, i përkohshëm, nuk i ndihmon, por i shpagon. Ja një e vërtetë e frikshme, por dhe kthjelluese, përfundimtare, mësimdhënëse.
Kjo për më tepër është një e vërtetë supreme, kokëfortë e pa sfidueshme dot për tërë spektrin politik, për të tëra partitë. Deintelektualizimi i të cilave është një dukuri vulgare, pragmatiste, aspak vizionare, pa asnjë prespektivë të dobishme, pllenuese, ndërtimtare, strategjike.
Populizmi, karizma përbëjnë iluzionizmin e personalitetit, që nuk është personalitet. Kështu intelektualë të niveleve mediokre bëhen poseduesit e fatit të të gjithëve, klonojnë fytyrën, modelin vetiak në shoqëri, duke skualifikuar modelin dhe shëmbëlltyrën e personalitetit të vërtetë.
Natyrisht për fat të keq një gjë e tillë ka ndodhur dhe do të ndodhë, siç e ka  vërejtur me të drejtë Stjuart Milli kohë më parë, sepse siç plotëson, saktëson Karl Poperi, nivelet e ulëta kulturore të elektorateve përcaktojnë parapëlqimet adekuate të të zgjedhurve, madje dhe prijësve karizmatikë.
Kriza e personaliteteve në PS është kriza e vizionit politik.
Personalitete të tilla të PS, si Dritero Agolli, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani, Vath Koreshi, Xhevat Lloshi, me status intelektual të mirëfilltë, nuk përfillen më në PS, ose honorifikohen ritualisht, pa domethënie. Nuk dua të tregohem i padrejtë, i skajshëm, natyrisht në PS ka dhe figura të njohura të politikës gjatë këtyre 18 viteve, por janë pak, ua njoh meritat, por defekti tyre është se janë me status zyrtar të stërzgjatur, pa u ngritur në nivele intelektuale. U them Ju duket e rëndë kjo? Po revoltoheni? Dëshmoni të kundërtën, përgënjështroni. Nuk bëtë kurrë analiza të vërteta dhe serioze, as për meritat as për gabimet, asnjë nismë ligjore nuk është me emrin tuaj, kurrë për hir të së vërtetës nuk u sakrifikuat, por u përshtatët, shpesh bëtë servilin në mënyrë të turpshme, nuk e kuptuat politikën si një profesionalizëm, por si populizëm.
Mësuat retorikat, por jo lartësitë serioze të debatit por edhe të dialogut, mësuat konjukturat klanore, por jo madhështinë e kauzës së të majtës dhe të politikës si shërbim dhe jo thjesht si përfaqësim vetiak dhe fiktiv.
U krijua tipologjia e nëpunësve partiakë, por jo e shëmbëlltyrave vizonare. Si ka mundësi që figura të njohura partiake gjashtëmandatorë ose pesëmandatorë etj., të zotërojnë një elektorat të majtë në gjirin e të cilit ka shumë personalitete të vërteta dhe pa qenë deputetë ose fuksionarë të PS. Këtu fillon përtëritja, plotfuqishmëria e partisë së hapur dhe jo bunkerizimi i partisë së mbyllur.
Gjatë fushatës marramendëse Rama dhe PS nuk artikuluan pothuaj asgjë për personalitetet e kulturës? Nuk kanë ata nevojë për PS, e kundërta PS ka nevojë për ta, mungesa e personaliteteve është triumfi i mediokritetit. Nuk është një iluzion optik, por një e vërtetë e përmbysur. Kur përmbyset e vërteta, duhet të ngrihet. Nuk ka alternativë tjetër.
Ky subjekt është tepër i ndërlikuar, por i pashmangshëm. Analiza e tij, e theksoj nuk ka dhe nuk duhet të ketë asgjë personale. Dhe nuk është personale. Figurat e njohura politike të PS, që i njoh personalisht që nga viti 1991, duke i mbajtur ison Ramës se PS e vërtetë fillon në 2005 mohuan edhe historitë e vetvehtes, nëse ata mohojnë lehtësisht veten e tyre, pse zëmërtohen atëherë, çfarë kuptimi kanë emocionet.?
Duke mos qenë vetvetja, pse ju tmerrojnë të tjerët, të cilët nuk i përfillët, por përfillët shefin partiak që në fakt ju mohoi për 4 vjet rresht publikisht. Ky është zhvlerësimi i atij dhe i vetë juaji dhe aspak i imi. Nuk e kuptoni këtë?
I kujt është faji? Mea culpa?
Jeni mbartës së dy humbjeve në 2005 dhe 2009. Humbja është e elektoratit jo humbja juaj, sepse rrogat dhe privilegjet gjashtëmandatore ju ende i keni dhe ndoshta do t’i keni prapë.
Nismat politike të Nanos ishin të një profesionisti dhe jo të një diletanti, ashtu edhe dorëheqjet e tij demokratike. Po kjo i bën më të thekshme dhe absurde të metat e tij, ai i promovoi figurat, duke përfshirë dhe Ramën, që ata ta mohonin. Një cikël i habitshëm. Kujtoni numrin e madh të deputetëve dhe ministrave të Nanos që tani nuk i mban mend askush.
U krijua kështu një tipologji mediokre e deputetit, ministrit, që përfaqësonin modelin e qeverisjes së PS. Vërshuan figurat e biznesmenëve, deputetë që u bënë akoma më të pasur në emër të elektoratit të të varfërve. Po PS me Nanon i fitoi dy mandate, kurse antiNanot i humbën.
Nga 2005 a u rrit cilësia intelektuale e figurave të PS? Subjektivizmi absolut i Kryetarit Rama për të fabrikuar idhtarët e tij institutocionalizoi servilizmin, mendësinë klanore. Ky ishte primitiviteti i Politikës së Re, ku personalja e deformoi intitutocionalen. PS është në një situatë të rëndë problematike, ndaj nuk duhet braktisur.
Kërkon një ringjallje konceptuale, dmth kërkon personalitete të vërteta. Jo figura të konsumuara, jashtë kohe. Servilët nuk bëjnë dot histori, as mediokrit, as të përshtaturit, por trimat dhe vizionarët po.
Projekti politik i Ramës me një diletantizëm karizmatik, populist, spektakolar, vetë Rama deklaroi disa herë se nuk ishte politikan, por një qytetar në mision, dështoi me 28 qershor, nuk ka të ardhme. Mandati i ri i Ramës është tautologji e humbjes, e alibisë. Partia është më e rëndësishme se sa kryetari, ose çdo lloj kryetar. Politikisht Arben Malaj ka shumë të drejtë, kërkon me guxim ndryshimin pozitiv. Maqo Lakrori ka vizion, dituri dhe ide të drejta. Ndër të rinjtë spikat sidomos figura e personalitetit të Ben Blushit, që i artikulon qartë idetë e ringjalljes së PS. Ben Blushi është një personalitet i spikatur, i vërtetë, jo i klonuar as i fabrikuar nga alkimia partiake, por nga vetvetja, pakrahësimisht me të tjerët.
Por janë edhe shumë të tjerë. Kriza e personaliteteve në PS është më tepër një keqkuptim i tmerrshëm se sa një realitet i së ardhmes. Figurat e reja të deputetëve të PS që vijnë në Parlament kanë provën e tyre historike të afirmohen si personalitete, ose të harrohen menjëherë mbas mbarimit të mandatit.
Besoj se disa prej tyre do ta kuptojnë këtë gjë.
Analiza e vërtetë dhe serioze do të rindërtojë edhe kauzën e PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›