E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Rama, garë grindjesh

 

Aristir Lumezi

Anëtari i Kryesisë së PS-së, deputeti Arben Malaj shpjegoi dje se u tërhoq nga gara për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj partie, në 26 shtator, pasi rikandidimi i Edi Ramës solli qëndrim armiqësor për mendimin ndryshe. “Shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte”, tha Malaj, i shoqëruar nga deputeti Ben Blushi, por dhe grupi i deputetëve dhe anëtarëve të asamblesë dhe delegatë të kongresit që ndajnë të njëjtin qëndrim. Malaj nënvizoi se “gara po krijonte grindje të përhershme brenda PS-së dhe kandidimi i Ramës cenoi kredibilitetin”. “Gjatë Kongresit të 29 gushtit, shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte, duke zbatuar një standard që duhet të ndiqet nga të gjitha partitë shqiptare”, nënvizoi Malaj ndër të tjera, se kontributet e tij në politikë nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë brenda një gare. “Unë do të jem një zë politik në publik, për çka PS duhet të bëjë më mirë një zë përfaqësues për socialistët progresist”. Anëtari i kryesisë socialiste denoncoi frymën radikale që po kap PS-në. “Paralajmëroj publikisht se PS po shkel drejt një radikalizmi për interesa krejtësisht personale të kryetarit në detyrë. Disa nga forumet e saj drejtuese dhe disa nga personalitet e saj po keqpërdoren në funksion të garës personale dhe të pushtetit absolut të kryetarit aktual”, u shpreh Malaj. Sipas anëtarit të kryesisë socialiste, më e keqja ishte fakti se Rama nuk bëri asnjë vlerësim për kolegët me mendimin ndryshe. “Pasi pashë me kujdes të gjitha zhvillimet politike brenda PS dhe ndjeva se një garë nuk do të ishte më një garë modelesh, vizionesh, por një mundësi për të krijuar grindje të përhershme në PS; sigurisht pasi ndoqëm nga afër, me vëmendje zhvillimet e Kongresit të PS dhe fjalën e kryetarit në detyrë, vendosa të mos vazhdoja procesin e kandidimit, të mos regjistrohem zyrtarisht për këtë garë, e cila duket se do të zhvillohet në datën 26 shtator”, u shpreh Malaj. Anëtari i kryesisë socialiste shpalli kandidaturën e tij në kongresin e jashtëzakonshëm, ndërsa mori vendimin për t’u tërhequr menjëherë pas fjalës së Ramës në sallën e kongresit, vendim të cilin ia komunikoi edhe Ramës. “Konstatova një qëndrim deri armiqësor ndaj mendimit ndryshe të kolegëve të mi të Partisë Socialiste. Ambienti konkurrues para Kongresit, deri në Kongres, për pasojë edhe pas Kongresit, u duk se do të bëhej gjithnjë e më tepër agresiv dhe denigrues ndaj kolegëve. Fjala kryetar në detyrë nuk afroi asnjë shenjë për reflektim personal, çfarë nuk u bë mirë dhe çfarë duhet të bëjmë mirë. Nuk u afruar asnjë mundësi për bashkëpunim me kolegët në PS”, u shpreh Malaj. Sipas tij, nuk ka vullnet dhe nuk u bë analizë e shkaqeve edhe vetë brenda PS, përse ne humbëm dhe nuk u bëmë dot fitues. “Rikandidimi i Ramës, për mua cenon rëndë kredibilitetit e PS. Shpresova shumë që ai do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe njëkohësisht do të ndjente përgjegjësinë për të mos rikandiduar si një standard i cili duhet të funksionojë jo vetëm në PS, por në partitë politike shqiptare. Njëkohësisht, si për ironi, nuk u bë asnjë vlerësim për të gjithë kolegët që kanë një mendim ndryshe, por që kanë qenë pjesë e historisë, të krijimit, të modernizmit, të fitoreve dhe sfidave të PS”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›