PS kundër presidentit, nuk do të votojë kandidaturën e Leskajt
Ndërsa pritej që propozimi i kandidatit të presidentit Bamir Topi për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, të kundërshtohej nga mazhoranca, ka ndodhur e kundërta.
Është Partia Socialiste ajo që ka dalë kundër Leskajt dhe mësohet se në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar është vendosur që të votohet kundër tij. Ky qendrim do u bëhet i ditur deputetëve ditën e hënë.
Ndonëse kryetari i Partisë Socialiste, kishte deklaruar kohë më parë se partia e tij do ti jepte votën çdo kandidature të propozuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, selia rozë ka ndryshuar qëndrim. Madje, kjo e fundit ka shprehur shqetësimin për propozimet e fundit të kreut të lartë të shtetit. Ky qëndrim është mbajtur pas propozimit të Fullanit për një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.