E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh Asamblenë Kombëtare, vendoset aksioni politik

TIRANE- Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare, ku pritet të merret një vendim të qartë në lidhje me qëndrimin dhe aksionin politik që do të ndjekë partia më e madhe në opozitë, në rast se nuk do të plotësohet kërkesa e saj për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Tiranë.

Asambleja do të nisë punimet, duke nisur me një paraqitje të detajuar të fakteve, përmes të cilave Partia Socialiste pretendon se janë manipuluar zgjedhjet e 8 majit. Paraqitja, përmes pamjeve filmike dhe mosrakordimit të shifrave do ta paraqesin sot, drejtuesit juridikë në PS. Kryetari Edi Rama do të mbajë fjalën e hapjes, ku do të hidhen edhe opsionet për qëndrimin politik të PS-së në muajt në vijim. Më pas rendi i ditës së Asamblesë do të vijojë me miratimin e disa dokumenteve për nisjen e fushatës zgjedhore brenda partisë. PS-ja pritet të mbledhë Kongresin e saj zgjedhor në vjeshtën e këtij viti e deri atëherë duhet të jetë bërë zgjedhja e delegatëve dhe disa drejtuesve vendorë, përjashtuar kryetarët e rretheve dhe kryetarin e partisë në qendër.

Ndërkaq debatet pritet të ketë edhe në lidhje me qëndrimet e ditëve të fundit të deputetëve Erjon Braçe e Arben Malaj. Nëpërmjet një letre publike të publikuar pak ditë më parë Brace kërkonte publikisht thyerjen e bojkotit të Kuvendit. Kundër bojkotit është dhe deputeti socialist, Arben Malaj, i cili, dje nisi prezantimin e platformës së tij politike, për modernizimin e partive. Deputeti i PS do të nis turin në bazë, ndërsa mbështetet nga ish presidenti Rexhep Meidani dhe deputeti Kastriot Islami.

Kjo është mbledhja e dytë, brenda 3 javësh e këtij forumi të lartë partiak. Gjatë kësaj kohe kreu i PS-së zhvilloi takime me strukturat bazë në të gjitha qytetet mbi aksionin politik që do të ndërmarrë kjo parti.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›