E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, mbledh Asamblenë, gati listën e kandidatëve

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, forumi më i lartë në harkun kohor mes dy kongreseve, miratoi parimet dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë si dhe gjithë elementët e procesit zgjedhor të 28 qershorit. 

TIRANE- Socialistët nisin finalizimin e listës së kandidatëve për të cilët do të kërkojnë votën më 28 qershor. Asambleja Kombëtare si forumi më i lartë drejtues, ka miratuar parimet mbi të cilat do të mbështetet procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nënvizoi domosdoshmërinë për të çuar mesazhin e ndryshimit dhe të shpresës në çdo shtëpi dhe për të përthyer atë në votë për socialistët

“Theksoj edhe domosdoshmërinë e një solidariteti të jashtëzakonshëm në këtë fazë të fundit të përpjekjës sonë, një solidariteti që duhet të karakterizojë të gjithë përpjekjen tonë të përbashkët, të një solidariteti që duhet të jetë mishërimi i vetëdijes sonë, se jemi këtu për të përfaqësuar njerëzit. Ky solidaritet duhet të përshkojë të gjithë pjesën e mbetur të procesit për përcaktimin e skuadrave përfaqësuese të Partisë Socialiste në të gjithë qarqet e vendit”- u shpreh kryesocialisti Rama.

Më tej Rama shtoi, “ne nuk jemi në këtë betejë për të ndërruar një Kryeministër me një tjetër, për të ndërruar disa ministra me disa ministra të tjerë. Të ndryshojmë gjithçka që në këtë vend nuk ka ndryshuar thjesht dhe vetëm për shkak të politikës. Të bëjmë të mundura gjëra që padrejtësisht politika i ka bërë të pamundura”- tha Rama.

Kështu sipas vendimit të marrë nga Asambleja, kandidatët për deputetë do të propozohen nga anëtarësia e partisë, në çdo qark duke përfshirë delegatët e kongresit si dhe anëtarët e dy forumeve drejtuese në qarqe, Asamblesë dhe Kryesisë. Por do të tërhiqet edhe mendimi i shoqërisë civile e formatuar në bordet këshillimore të qytetarëve me të cilët kryetari Rama zhvilloi një tur të posaçëm debati në të gjithë vendin pak kohë më parë.

Këto konsultime në këtë fazë do të zhvillohen nën drejtimin e të deleguarit të kryesisë qëndrore dhe në fund kryetari ngarkohet të finalizojë përzgjedhjen me drejtuesit të strukturave të partisë dhe shoqërinë civile.
Në datën 14 maj do të jenë gati 12 listat sipas qarqeve me emrat e kandidatëve, ndërkohë që sipas parimeve të miratuara strukturat e partisë nuk mund të propozojnë për kandidatë emrat e deputetëve aktualë, çka e bën këtë fakt kopetencë të kryetarit të partisë.
Në axhendën e saj të ngjeshur Asambleja Kombëtare miratoi dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve, një projektvendim për aleancat me forcat e tjera politike për zgjedhjet e përgjithshme, si dhe mandatoi kryetarin e partisë për nënshkrimin e marrëveshjeve zgjedhore me subjektet politikë.
Partia Socialiste, ka caktuar në këtë takim të rëndësishëm politik në prag të zgjedhjeve edhe të deleguarit e kryesisë në 12 qarqe të vendit që do të drejtojnë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve dhe njëkohësisht dhe do të mbikëqyrin përgatitjen e strukturave bazë për zgjedhjet e 28 qershorit.
Anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së miratuan edhe programin elektoral, që përfshin drejtimet kryesorë të programit qeverisës të PS-së, të mbështetur në 7 pika.

Më herët, në fillim të takimit kreu socialist Rama është ndalur në çështjen e kartave të identitetit dhe u bëri thirrje qytetarëve pa pasaportë të aplikojnë sa më parë dha tha se qeveria nuk po garanton të drejtën e votës së çdo qytetari.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›