Aleanca Socialiste për Integrim: Ne anëtarësimin në BE
TIRANE- Koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim, do të jetë koalicioni tjetër i majtë i cili do të regjistrohet në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve dhe që do të ketë në përbërje të tij 6 forca politike midis të cilave LIS-në e Ilir Metës, PSV91 të Petro Koçit, Partinë për Mbrojtën e të Drejtave të Emigrantëve, Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut si dhe Partinë Toleranca e Re. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerësoi koalicionin duke thënë se e majta do të realizojë kështu anëtarësimin e plotë për në Bashkimin Europian.
“Aleanca Socialiste për Integrim, është një forcë e partive të reja politike të krijuar në Shqipëri gjatë 4 viteve të fundit, si një reagim jo vetëm kundërshtues ndaj politikës së vjetër, por njëkohësisht edhe si propozim si një zgjidhje dhe zgjedhje e re. Berisha nisi aplikimin për qëllime elektorala, por ne do të nënshkruajmë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE” –u shpreh Meta në fjalën e tij.
Ndërsa kreu i PSV91, Petro Koçi, vlerësoi faktin që e majta hyn në këto zgjedhje me dy koalicione që sipas tij vërtet të rastësishme, por do ta nxjerrin të majtën fituese. “Do të jetë një aleancë fituese, që do të përfaqësojë jo vetëm në fushatë por më pas në bashkëqeverisjen e vendit vlera të vërteta programore dhe mirëqeverisëse. Se përfaqësimi me dy koalicione të majta në këtë fushatë elektorale është pa dashur një zgjedhje e mençur dhe fituese”- tha Koçi.
Koalicioni i sotëm Aleanca Socialiste për Integrim, tashmë i kompletuar do të jetë i pari koalicion që pritet të regjistrohet pranë Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e 28 qershorit.
(a.r/news24/balkanweb)