E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh Asamblenë, pritet qëndrimi për zgjedhjet

TIRANE- Asambleja Kombetare e PS-se, pritet te dale me nje vendimarrje  rreth qëndrimit të opozitës pas zgjedhjeve të 8 majit. ne oren 11.00 kane mberritur pjesa me e madhe e perafqesise, kreu i grupit parlamentar te PS-se, Gramoz Ruci dje me tej edhe kreu i PS-se, Edi Rama.

Kreu socialist, Edi Rama, përmes një fjale para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, do të evidentojë situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 8 majit, veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor.

Pritet që në qendër të fjalës së tij të jetë kryeministri Berisha dhe kryetari i KQZ-së, Ristani, ndërsa do të artikulohen dhe qëndrimet e mëtejshme të socialistëve ndaj maxhorancës. Por, ndryshe nga çishte parashikuar në rendin e ditës, ku do të miratohej vendimi për hapjen e fushatës zgjedhore në PS, Asambleja pritet ta ngrijë këtë proces, për ta zhvilluar në një fazë tjetër të mëvonshme, pasi të jetë mbyllur plotësisht çështja e zgjedhjeve në Tiranë dhe të ketë dalë rezultati përfundimtar. Fushata zgjedhore në PS do të rinovonte të gjitha strukturat socialiste, që nga kryetari i organizatës socialiste e deri te delegatët e kongresit, i cili do të zgjidhte Asamblenë Kombëtare dhe Kryesinë e re.
Bojkoti
Çështja më e debatueshme në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare pritet të jetë bojkoti i Parlamentit nga deputetët socialistë. Drejtues të PS janë shprehur se bojkoti i Parlamentit do të vazhdojë deri në fund të procesit të ankimimit dhe të nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të Tiranës. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, është shprehur në mënyrë të përsëritur se PS duhet të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit dhe ta zhvillojë luftën politike në sallën e Parlamentit, por dhe në rrugë, përmes protestave.

Pritet që këtë qëndrim Braçe ta deklarojë dhe në mbledhjen e sotme të Asamblesë, duke kërkuar një politikë më të fortë opozitare ndaj maxhorancës aktuale në pushtet. Pritet gjithashtu që ai të risjellë edhe njëherë platformën e tij antikorrupsion dhe pastrimin e politikës nga të korruptuarit. Mësohet se edhe deputeti Arben Malaj të paraqesë një platformë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e cila do të synojë modernizimin e PS dhe përcaktimin e rregullave të reja në fushatën zgjedhore të PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›