PS, në analizë për të identifikuar armikun e jashtëm që po i prish punë
Intervista e z. Bob Hand, eksperti i politikave të Ballkanit dhe këshilltar në Komisionin amerikan të Helsinkit ka shkaktuar një “furtunë” mediatike. Media të majta dhe analistë të saj që sinkronizojnë rrahjet e zemrës me Edi Ramën kanë hequr ca fraza nga konteksti i intervistës për t’i mëshuar tejmase kritikave të ish-kongresmenit z. Hand ndaj menaxhimit të demonstratës së dhunshme të 21 janarit.
Më e çuditshmja është se disa të përditshme e kanë marrë me shkurtime intervistën tek Zëri i Amerikës, duke censuruar mendimin e z. Hand për opozitën. Sigurisht kanë harruar pa dashje të përmendin faktin që z. Hand e cilëson kreun e opozitës si të papërgjegjshëm, e për rrjedhojë të papranueshëm. Këshilltari amerikan në Komitetin e Helsinkit, Bob Hand kritikon retorikën jakobine të përdorur nga lidershipi i opozitës Edi Rama, i cili me sulmet ndaj Prokurorisë, po tenton të devijojë hetimet. Për z. Hand, Rama duhet të heqë dorë nga roli i prokurorit, pasi ai ka përgjegjësi për 21 janarin. “Përsa u përket komenteve të Edi Ramës, ai nuk është prokurori i çështjes. Ai ka të drejtë të shprehë pikëpamjen e tij por mendoj se ai duhet gjithashtu të kuptojë se të jesh në opozitë do të thotë të kesh edhe disa përgjegjësi. Ai është ende një udhëheqës politik, drejton një krah të caktuar në politikën shqiptare që ka përfaqësim në popullatën e vendit. Bashkë me këtë vjen edhe nevoja për një sjellje të përgjegjshme”. Nënteksti i z. Hand kur thotë se “(Edi) Rama, nuk është prokurori i çështjes” do të thotë se ka më shumë se një vit që është kthyer në një kryeprokuror, pavarësisht Znj. (Ina)Rama.
Kuptohet vetiu që, enturazhit mediatik të liderit të opozitës duket se nuk u kanë pëlqyer shumë fjalët e Bob Hand për Edi Ramën, prandaj kanë vendosur me presione të ndryshme të marrin me shkurtime intervistën, duke sjellë vetëm frazat ku mund të luhet me “kritikat që i adresohen kryeministrit Berisha”. Kjo është një mënyrë shtinjake për të sjellë në opinionin publik një të “vërtetë” të shtrembëruar, duke dhënë një imazh të gënjeshtërt për realitetin e gjërave. Natyrisht sjellja e padenjë ka qenë e kushtëzuar nga pilotimi i përhershëm që Rama u bën mediave afër tij, duke dëftyer dhe një herë tjetër marrëdhënien e shpërfytyruar me gazetarët. Raporti mono-maniakal i Edi Ramës me mediat është një raport i paprecedentë, bile shumë i rrezikshëm, jo vetëm për mediet të cilat i kontrollon deri në detaje (edhe titujt e aperturës dërgohen me sms), por edhe për daljen në pah të natyrës së tij censuruese e autoritariste, derisa filloi trukimin e kronikave të fushatës duke nxjerrë jashtë loje kredibilitetin e medies.
Ai ka frikë nga mendimi ndryshe, i kujtdo qoftë ai. Në logjikën e jetës së tij politike, Edi Rama përdor luftën imagjinare ndaj “armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm”. Dhe në ketë rast “armiku i jashtëm” është mendimi ndryshe i Bob Hand. Ngase “armiku i brendshëm” i përfaqësuar kohë më parë nga lëvizja për mendim ndryshe është shpartalluar krejtësisht me përjashtimin e Kastriot Islamit dhe frikësimit të të tjerëve nepërmjet “internimeve” të deputetëve në zona të panjohura.
Sido që të jetë, fakti që Edi Rama nuk heq dorë nga shtrembërimi i të vërtetës dhe manipulimi i realitetit tregon gjithnjë e më shumë se është i papranueshëm në sytë jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por dhe i ndërkombëtarëve. Dhe cilësimi i Edi Ramës si i papërgjegjshëm nga ana e ish-kongresmenit Bob Hand është rikonfirmimi më i qartë i asaj politike me standarde të ulta. Me 21 janarit 2011 ai konfirmoi sipërmarrjen radikale për të marrë në mënyrë anti-demokratike pushtetin.