E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS nuk ka probleme me ligjin, por me integrimin europian”

29-01-2013 / Gazeta 55

Reagon  kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali

Në komisionin e Ligjeve opozita vijon të qëndrojë në pozicione refraktare me procesin e Integrimin, ku anëtarët e saj braktisën në mënyrë demonstrative  shqyrtimin e  projekt-ligjin e Nëpunësit Civil, një prej 3 ligjeve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, i cili u kalua për në seancë plenare, vetëm me votat e mazhorancës.
Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist Fatmir Xhafaj lajmëroi bojkotin e opozitës, duke e lidhur këtë veprim, me mos zgjidhjen e problemeve në Këshillin e Qarkut Fier.
I menjëhershëm ishte dhe reagimi i kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili deklaroi se nuk ka asnjë problem me ligjin, por Partia Socialiste ka problem me integrimin e vendit.
“Nuk e doni as ta votoni dhe as ti jepni pëlqimin për një motiv të thjeshtë. Nuk keni probleme me ligjin, e keni me integrimin e Shqipërisë. Pikë. Çdo gjë tjetër është e kot që diskutohet. Siç ua kam bërë të qartë dhe kryetari i PD-së, referendumi popullor do tu lejë si peshku në zall. Të shkretët ju! Mesa duket qytetarët do ta marrin vetë në dorë këtë situatë”, u shpreh Rusmali.
Ashtu si dhe ligji për Gjykatën e Lartë edhe ky ligj do të mbeten peng i votave të opozitës në Parlament.  Një ndër risitë e ligjit për nëpunësin civil është shkrirja e komisionin e shërbimit civil si organ kolegjial, atributet e të cilit do t’i ketë Gjykata administrative që zgjidh mosmarrëveshjet e punonjësve me shtetin. Ligji parashikon që Kuvendi të zgjedhë vetëm një Komisionar me rolin e mbikëqyrësit për shërbimin civil.
Ndërkohë komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi tre marrëveshje, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për transferimin e personave të dënuar”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ekstradimin” si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmë të ndërsjellët juridike në çështjet penale”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›