E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, përmbytjet rindezin debatin mbi bojkotin

Deputetët, të ndarë nëse është momenti për ta thyer
Përmbytjet në Shkodër përforcojnë një debat të brendshëm, për të cilën PS është kujdesur të mos bëhet asnjëherë publik, atë të kthimit në Parlament. Duke qenë se situata është alarmante, ku edhe vetë selia rozë ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, debati mbi kthimin në Parlament është bërë më i fortë se më parë. Edhe pse me një vendim konkret për të mos hyrë në Parlament, përforcuar shumë herë nga kryesocialisti Edi Rama, në ambientet dhe korridoret politike të Partisë Socialiste nuk ka munguar asnjëherë ky debat, ku janë hedhur e rihedhur mundësi apo situata që mund të çonin në vendimin për hyrjen e grupit parlamentar në Kuvend. Meqenëse viti 2010 ka nisur me një situatë të pazakontë, ku zona të tëra në Qarkun e Shkodrës ndodhen prej shumë ditësh në ujë, e ku PS pretendon se fajtorët e vërtetë janë qeveritarët e jo kushtet e motit, rikthimi në Kuvend nuk duket një skenar i largët. Fakti konfirmohet nga burime të sigurta nga Partia Socialiste, që pranojnë se bëhet fjalë për një debat të brendshëm, jozyrtar, pasi nuk ka një mbledhje të strukturave. Burimet saktësuan se hyrja e pazakontë bëhet për një rast të pazakontë, ndaj mes bisedave të deputetëve e drejtuesve socialistë është hedhur ideja e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare në muajin shkurt, për të diskutuar një mundësi të tillë. Sakaq, kryetari socialist, Edi Rama, nuk ka lëshuar pe, e madje ka qartësuar se nuk do të thyhet bojkoti as në datën 7 mars, kur është afati i fundit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, disa ditë më parë Rama tha se ditën kur skadojnë afatet, deputetët e Partisë Socialiste do jenë duke festuar 7 marsin. Kjo nuk i ka penguar deputetët që edhe indirekt të shprehin pakënaqësitë e tyre mbi qëndrimin e opozitës, të paktën për situatën e përmbytjeve. Një prej deputetëve të grupit parlamentar, në faqen e tij të rrjetit social, “Facebook”, shprehu dy ditë më parë pakënaqësi në lidhje me qëndrimin e PS-së dhe gjithë opozitës në raport me përmbytjen, teksa kërkoi më shumë “agresivitet” të aksionit opozitar. Diçka që natyrisht duket se nuk bëhet dot jashtë dyerve të Parlamentit. Sakaq, në mungesën e mbledhjes së strukturave, askush nuk ka hedhur hapin e të shprehurit të këtij mendimi publikisht. Madje, të kontaktuar dje nga gazeta “Shqip”, shumë prej deputetëve kanë refuzuar që të japin mendimin e tyre publikisht. Vendimi për të bojkotuar Parlamentin u mor në Kongresin e 29 gushtit të vitit të shkuar, për t’u bërë më pas në aksion të ditës nga kryesia dhe grupi parlamentar. Socialistët janë shprehur se nuk do të hyjnë në Kuvend derisa Berisha të hapë kutitë e dyshuara të 28 qershorit, ndërsa ky vendim u shoqërua me një sërë protestash në të gjitha qytetet e vendit. Një valë e re protestash pritet të rinisë sërish, pasi të kapërcehet situata e përmbytjeve, ndërkohë që po afron fundi i afatit që kanë deputetët për të mos lejuar që mandatet e tyre të digjen. Mazhoranca nga ana tjetër është shprehur e vendosur për të zbatuar ligjin, duke bërë me dije se do bëjë zëvendësimin e tyre me emrat që vijnë poshtë fituesve të listës së PS-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›