Thaçi bën gati ndryshimet në qeveri

PDK dhe LDK rinisin fërkimet e fundit para konfigurimit të kabinetit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përgatit ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar, menjëherë pas përfundimit të plotë të procesit elektoral për zgjedhjet vendore. Ndryshimet e shumëpërfolura në qeverinë e Kosovës mund të presin përmbylljen e plotë të procesit të zgjedhjeve komunale, thonë zyrtarë të partive në koalicion. Sipas tyre, nuk ka informacione se për çfarë ndryshimesh është fjala. Ndryshimet në qeverinë e Kosovës mbeten çështje ekskluzive e krerëve më të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zyrtarët e të dyja partive politike, thonë se janë të njoftuar me pajtimin në parim të kreatorëve të koalicionit, që të fillojë një proces ndryshimesh, i cilësuar si riformatizim i qeverisë. Por, as në PDK dhe as në LDK nuk ka ende ndonjë ide se çfarë nënkuptojnë këto ndryshime dhe cilat do të jenë largimet, apo freskimet në kabinetin qeveritar. Këto dy parti politike, madje, nuk presin ndryshime fare në qeveri pa u përmbyllur në tërësi procesi i zgjedhjeve komunale. Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, thotë se kjo parti politike është e njoftuar me nismën e Thaçit dhe partnerëve të koalicionit për ndryshime, por nuk dihen emrat konkretë të ministrave në largim dhe të atyre që eventualisht do të vijnë në qeveri. Sidoqoftë, Stavileci thekson se Thaçi do ta ketë përkrahjen e PDK-së në vendimet e tij për ndryshime, nëse vlerësohet se ato janë në interes të një qeverisjeje më të mirë. “Kryeministri, zoti Thaçi, është njëherësh edhe kryetar i partisë dhe natyrisht që nismat e tij diskutohen edhe në forumet e partisë dhe përkrahen”. “Megjithatë, sa u takon numrave, njerëzve, emrave, kjo është një çështje e hapur që mbetet të diskutohet, por normalisht që ne do t’i mbështesim të gjitha ato vendime që do ta bëjnë të mundshëm funksionimin sa më të mirë, në të ardhmen, të qeverisë”, thekson Stavileci. Ndonëse zyrtarë të LDK-së e kanë pranuar marrëveshjen për rikonfigurimin e qeverisë, ata tash për tash thonë se nuk e kanë si prioritet këtë çështje. Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së kësaj partie, thotë se nuk e sheh si të ngutshëm rikonfigurimin, pasi që për LDK-në, aktualisht më e rëndësishme është përsëritja e balotazhit për kryetarët e disa komunave ku kishte më shumë parregullsi. “Nuk ka një iniciativë të tillë, e as kërkesë që të bëhet vlerësimi i punës së ndonjërit nga ministrat tanë. Nuk e besoj fare që kjo do të ndodhë deri në fund të këtij muaji, e për ne, si LDK, më e rëndësishme është përgatitja dhe angazhimi rreth zgjedhjeve në raundin e tretë”, thotë Beqiri. Përderisa LDK-ja fillimisht pret përfundimin e plotë të zgjedhjeve lokale dhe më pas të hapë çështjen e rikonfigurimit të qeverisë, Kryeministri Hashim Thaçi thotë se ndryshimet paraqesin dhe një lloj reformimi të ekzekutivit.
Rikonfigurimi i qeverisë u arrit si marrëveshje për të vazhduar koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, pas përplasjeve që ndodhën gjatë fushatës dhe zgjedhjeve lokale ndërmjet këtyre dy partive politike. Ndërkaq, mes dy partive kryesore që përbëjnë koalicionin qeverisës PDK-së dhe LDK-së ka shpërthyer konflikti më i fundit për Komunën e Gjilanit. Kështu, pas numërimit të votave nga Komisioni i Numërimit u vendos që zgjedhjet i ka fituar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, duke avancuar me saktësisht 900 vota kundrejt Fatmir Rexhepit, kandidat nga radhët e LDK-së. Kthyer në përqindje, në bazë të këtyre të dhënave, diferenca midis kandidatëve është 2,6 për qind. Mustafa ka 17.625 vota, kurse Rexhepi 16.725 vota, ndryshe nga numërimi i 13 dhjetorit kur i pari kishte 17.854 vota, kurse i dyti 16.889 vota. Por LDK i ka kontestuar këto rezultate dhe pritet t’i ankimojë në gjykatë.
#