E Diel, 1 Nëntor 2026

PS përshkallëzon aksionin politik në sallën e Kuvendit

Grupi miraton qëndrimin kundër për Rregulloren

Bllokimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, mbetet guri i fundit i Partisë Socialiste në betejën e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe rinegociim të pozitave të veta politike. Kjo është bërë e njohur edhe dy ditë më parë, teksa nga Nju Jorku, kreu i PS, Edi Rama, ka deklaruar hapur se “PS nuk do të bëhet kurrë fasada e një Parlamenti që vazhdon të mos jetë Parlamenti i të gjithë shqiptarëve, por thjesht instrumenti i atyre që nuk i lanë shqiptarët të zgjedhin dhe kërkojnë t’i sundojnë”; një qëndrim i cili është rikonfirmuar edhe dje nga grupi parlamentar në mbledhjen e zakonshme të tij. Në funksion të diskutimeve për kalendarin e punimeve kuvendore, ekipi i deputetëve socialistë ka rënë dakord dje që të kundërshtojë ndryshimet e iniciuara nga shumica demokrate për rregulloren e Parlamentit, duke i vlerësuar ato si të papajtueshme me Kushtetutën. Edhe pse amendimet në fjalë nuk kërkojnë një shumicë të cilësuar, vota kundër tyre, me theksim të veçantë të karakterit jodemokratik që sjell instalimi i votimit të hapur për personat, është një hap që gjithsesi hap tiparin e debateve thelbësore parlamentare. “Grupi socialist i qëndron vlerësimit të bërë publik se ndryshimet e propozuara në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës janë në kundërshtim me praktikat e funksionimit të një Parlamenti demokratik europian”, citon zyra e shtypit të PS, konkluzionet e mbledhjes së djeshme. Në të njëjtën gjatësi vale po përcillet qëndrimi i selisë rozë edhe për një ligj tjetër që nuk ka nevojë për votat e saj, projektin e PD “Për faljen”, i cili prej disa javësh diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Janë pikërisht sugjerimet e opozitës ato që kanë nxjerrë në sipërfaqe problemin që projekti përfaqëson lidhur me kompetencat e Presidentit duke e sjellë vëmendjen e publikut drejt mjediseve ku merren vendime politike me rëndësi. Nëse këto dy momente japin një ide të forcës së PS në argumentimin e vet për probleme me rëndësi për funksionimin e institucioneve, janë ligjet organike ato që përfaqësojnë një moment ku ajo mund të demonstrojë forcën e vet në Parlament. Një pikë reference për këtë është edhe projekti për Gjykatën Administrative, për miratimin e të cilit Kryeministri para pak ditësh kërkoi konsensusin e opozitës. Përballë kësaj kërkese, që është edhe nevojë praktike e qytetarëve, qëndrimi i deritanishëm i PS është shfaqur si kushtëzues në raport me zgjidhjen e krizës politike, duke ia nënrenditur jetën parlamentare një kauze që kuron pikërisht hetimin e integritetit të vetë Parlamentit. Për rrjedhojë, në optikën e brendshme të interesave opozitare, kodet apo ligjet organike janë e vetmja hapësirë për demonstrimin e forcës dhe për të imponuar diçka nga vullneti i vet, sidomos pas rezolutës së djeshme të Parlamentit Europian, i cili e ka minimizuar shumë peshën e krizës shqiptare në vendimmarrjen për vizat apo edhe integrimin. Nisur nga qëndrimet e deritanishme, qoftë edhe nga vendimi i grupit për rregulloren, PS duket e përcaktuar në këtë pozicion të fortë, që mund të përgënjeshtrohet gjithsesi me nisjen e reformës zgjedhore. E interesuar drejtpërsëdrejti në këtë çështje, burime nga PS kanë bërë të ditur se ajo do të marrë pjesë në komisionin e përbashkët që do të ngrihet, duke shpalosur kështu një sjellje që mund të nxisë spekulime. Kjo pasi prioriteti maksimal i interesave të ngushta opozitare mund të ngushtojë hapësirat e një subjekti që pretendon zgjerimin elektoral në emër të ambicies për të ardhur në pushtet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›