Vendimi i gjykatës, pika kulmore e një procesi të gjatë shantazues të pushtetit ndaj medias
Lëvizja “Mjaft!” gjendet e shokuar përpara vendimit për të dënuar me gjobë 400 mijë euro televizionin “Top Channel”. Vendimi i marrë nga një gjykatës me konflikt interesi është vetëm pika kulminante e një procesi të gjatë shantazues të pushtetit ndaj medias.
E treguar me fakte nga televizioni “Top Channel” arroganca e një nëpunësi publik në gradën e ministrit, nuk përfundoi me tentativën për të dhunuar një vajzë, (që ndryshe nga Z. Pango nuk u shpëton dot taksave) por vazhdoi deri atje sa të përdorë gjykatën për të dhunuar dhe vetë median denoncuese.
Rasti “Pango” është ofendim që u bëhet të gjithë shqiptarëve, sepse ky personazh grotesk, jo vetëm i politikës, por dhe i akademisë shqiptare, autor librash të kopjuar, në vend që të merrte kohë për të reflektuar, jo vetëm mbi keqmenaxhimin në ministrinë e tij, por mbi të gjitha me abuzimin e dukshëm që i bën postit për të pasur përfitime seksuale, ka kurajën të përdorë miqësitë e tij të fuqishme, për ta transformuar këtë proces në favor të tij dhe kundra publikut. Historia e këtij individi që njihet nën emrin Ylli Pango është historia fatkeqe e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar. Ai, shumë shpejt u gjet i rehabilituar pas këtij veprimi monstruoz nga kreu i qeverisë Sali Berisha, e vetëm pak kohë pas shkarkimit të tij si ministër, ai u vendos në një post të rëndësishëm në Ministrinë e Arsimit. Pas këtij veprimi në kundërshtim me çdo element të etikës profesionale, Pango gjen mënyrën për të dalë nga kjo histori me 400 mijë euro në xhep.
Mesazhi që po i japin institucionet qytetarit pa pushtet është se: t’i mund të abuzosh me postin, të konsumosh madje dhe një vepër penale mjafton të kesh njohjet e duhura jo vetëm për t’ia hedhur pa lagur, por dhe duke dënuar denoncuesin tënd, në këtë rast emisionin “Fiks Fare” dhe televizionin “Top Channel”.
është e neveritshme që një qeveri, e cila kontrollon telefonat e gazetarëve, apo që me ligj përgjon çdo numër në emër të krimit ekonomik, pikërisht në rastin kur një institucion publik e vë në jetë në të mirë të publikut këtë ligj, dënohet me gjobë, duke treguar qartë që ligji i jetës private u takon vetëm pushtetarëve, e ligji i përgjimit u takon vetëm atyre që nuk mund të fshihen dot pas vellos së shndritshme të pushtetit, madje as kur vepra që konsumohet është abuzim me postin për përfitime seksuale. Lëvizja “Mjaft!” e konsideron këtë akt si dhunë ndaj fjalës së lirë, dhe si një gur mbi lapidimin e vazhdueshëm të demokracisë shqiptare. Lëvizja “Mjaft!”, gjithashtu kërkon që shoqëria shqiptare të reagojë ndaj instalimit të institucionit të arrogancës dhe dhunës në mentalitetin e ligjvënësve dhe institucioneve shqiptare. Demokracia, është një luftë e vazhdueshme mes të drejtës e të padrejtës, mes abuzuesve dhe të abuzuarve. Ne nuk mundet dhe nuk duhet që këtë rast, që sot cenon një media të lirë, por indirekt na cenon të gjithë ne që kemi vendosur të jetojmë në një shtet demokratik, të kalojë pa u vënë re. E në fund duam t’i bëjmë një thirrje z. Pango, pavarësisht nëse fiton apo humbet një gjyq në një pushtet të së padrejtës, asnjë shifër monetare që jepet nga këto gjyqe të montuara, nuk do ta pastrojë imoralitetin tënd dhe të qeverisë që t’i përfaqëson, në sytë e publikut shqiptar. (Lëvizja “Mjaft!”)
#