Ngec reforma zgjedhore, PD e PS ndahen për sistemin dhe kartat
Ngec ende pa nisur tamam puna për reformën zgjedhore. Dy forcat e mëdha politike kanë akuzuar njëra-tjetrën dje, lidhur me dështimin e përpjekjeve për ngritjen e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndërsa nuk dihet ende sesi çështja do të vijojë më tej. Socialistët me anë të kryetarit të tyre, Edi Rama, kanë deklaruar në mesditë se PD-ja refuzon angazhimin për të përfshirë në modalitetet e funksionimit të komisionit një pikë të veçantë për të pranuar çdo propozim që ka të bëjmë me ndryshimet në Kod pasi të jetë marrë më parë pëlqimi i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ndërkohë që demokratët me anë të një deklarate të dy përfaqësuesve të saj Viktor Gumi dhe Oerd Bylykbashi, kanë bërë të ditur se u kanë kthyer përgjigje zyrtare socialistëve lidhur me propozimet e tyre, duke pranuar pikën që të pranojnë çdo propozim që do të marrë pëlqimin e institucioneve të specializuara ndërkombëtare, por jo jashtë 52 rekomandimet e raporteve të OSBE-ODIHR.
Përgjigja
Debati i djeshëm ka nisur fillimisht me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij të mbajtur në grupin parlamentar deklaroi se PD nuk po kthen përgjigje lidhur me kërkesat e paraqitura nga negociatorët socialistë për sa i përket çështjeve që duhet të trajtojë Komisioni i Reformës Zgjedhore. “Ne i kërkojmë ta nënshkruajë marrëveshjen për metodologjinë e punës së komisionit të reformës zgjedhore, që e ka në tryezë prej më shumë se 10 ditësh. Ose, të dalë publikisht dhe të thotë kam ndërruar mendim. Nuk do të pranoj çdo propozim të opozitës që merr dritën jeshile nga ODIHR dhe/ose nga Komisioni i Venecias”, - u shpreh Rama. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i dy përfaqësuesve të PD-së Viktor Gumi dhe Oerd Bylykbashi, të cilët me anë të një njoftimi për mediat kanë sqaruar se kreu socialist gënjen dhe se ata në mënyrë zyrtare i kanë kthyer përgjigje socialistëve lidhur me çfarë ata kanë kërkuar në negociatat e tyre. “Informojmë publikun se ne kemi shqyrtuar me seriozitet propozimet e PS-së për këtë reforme, dhe i kemi kthyer me shkrim përgjigjen tonë, të bërë publike tashmë edhe nga kryetari i PD-së, për rrjedhojë, deklarata e z. Rama se ne nuk kemi kthyer përgjigje nuk qëndron”, - thuhet në këtë njoftim. Ndërkohë burime pranë mazhorancës kanë konfirmuar se përgjigja që dy të mandatuarit e PD-së i kanë kthyer kolegëve të tyre të majtë ka pasur të bëj me garancitë që jep PD për të pranuar çdo propozim që vjen nga PS dhe që ka lidhje me të gjitha çështjet që trajtohen në 52 rekomandime që paraqesin dy raportet e fundit të OSBE-ODIHR.
Debati
Por pikërisht përmbajtja e përgjigjes dhe jo ekzistenca e saj duket se i mban palët larg mirëkuptimit. Kështu, përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri gjatë një prononcimi për mediat ka sqaruar dje se nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga PD, por vetëm një e-mail, duke zbardhur të njëjtën kohë shumë pika të errëta të këtyre negociatave që janë zhvilluar deri më tani mes palëve. Ai ka bërë të ditur se çështja e problematikave që duhet të trajtojë komisioni i posaçëm i reformës ka sjellë dhe ngërçin. Dhe këtu bëhet fjalë për të gjitha ato çështje apo problematika që ka konstatuar vet Partia Socialiste dhe që nuk janë të listuara në rekomandimet e OSBE-ODIHR. “Të pranoj propozimet e Partisë Socialiste nëse ato marrin mbështetjen e ODIHIR dhe Komisionit të Venecias, mbi bazën e problemeve të identifikuara në zgjedhje, si edhe rekomandimeve të ODIHR në dy zgjedhjet e fundit. Me ç’duket, z.Berisha nuk kërkon të prekë çështje të tjera në reformën zgjedhore. Kjo është domethënëse. Edhe ato deklarime që i ka bërë jo më larg sesa para një jave kur tha që jam i gatshëm të ndryshoj edhe sistemin nëse do opozita, kjo del prapë një gënjeshtër e madhe, sepse është ai që nuk do të prek asgjë, përveçse pjesës së rekomandimeve”, - tha Gjiknuri duke zbuluar në këtë mënyrë dhe thelbin e debatit. Ndërkohë që ai ka bërë të ditura dhe çështjet që PS ka propozuar për t’u trajtuar krahas atyre që prekin rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe që kanë të bëjnë me: ndryshimin e sistemit zgjedhor, vota e emigrantëve, identifikimi i zgjedhësve dhe pajisjet moderne për votim dhe numërimin e votave, si dhe të kontrollit të hyrje-daljeve të shtetasve në kohë zgjedhjesh. “Pikërisht këto kanë qenë disa nga çështjet të cilat ne kemi thënë hajde ti listojmë dhe në mënyrë të përbashkët, kur të ngrihet komisioni ti adresojmë”, - tha Gjiknuri.