E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS po shkon drejt praktikave të PPSH, s’është çudi përjashtimi i kundërshtarëve

24-08-2011 / Gazeta 55

Tre deputetët kritikë të vijës politike të ndjekur nga Edi Rama, Islami, Harasani dhe Malaj, deklarojnë se përplasja mes dy linjave politike në opozitë është e pakompromis dhe se rrezikojnë të përjashtohen përmes “gjyqit special” në kongresin e 5 Nëntorit, nëse do zbatohet praktika bolshevike e emërimit të delegatëve

Partia Socialiste s’po përballon dot recensionin politik, ndërsa gjuetia e shtrigave, duket e vetmja formë mbijetese për lidershipin e saj, Edi Rama. Në mediat e shkruara dhe elektronike, prej javësh të tëra shkruhet dhe flitet për një “gjyq special” ndaj kundërshtarëve të vijës politike të të Parit të Partisë, Edi Rama. Ky fakt bëhet gjithnjë e më i besueshëm po t’i referohemi raporteve të fundit të kryesocialistit me anëtarët e kryesisë dhe sekretariatin e PS-së. Kryesia ka muaj të tërë që nuk mblidhet dhe po ashtu as elementët e sekretariatit s’janë në stadin e duhur të formës vendimmarrëse sepse nuk pyeten. Ka vetëm një pseudo-asamble, e cila në rastin më të mirë thjesht përdoret për të maskuar “fuqinë” politike të Edi Ramës dhe shpurës së 99-ve që e ndjek nga pas. Zëra të rëndësishëm dhe kontribute ndër vite në PS s’llogariten si pjesë e qenësishme e debatit politik në PS, por më e keqja është se me “ngritjen e zërit”, praktikë kjo që është menduar se do t’i vijë në ndihmë PS-së dhe ri-lindjes së debatit të brendshëm në të, një pjesë e mirë e figurave historike të partisë opozitare, do bien në gijotinën e karikaturës politike, i cili në rastin më të mirë mund t’u faturojë pensionin e përkohshëm. Që Edi Rama është bërë simbol i diktaturës partiake në PS, është shumë pak të përshkruhet me një fjali modeste, pasi realisht po përpiqet të aktualizojë format vendimmarrëse të Enver Hoxhës, ndaj armiqve, siç i etiketonte ai, kundërshtarët e vijës politike. Edi Rama ka kthyer në PS formalitetet e Partisë së Punës, pra zhdukje të mendimit liberal, neutralizimin e teknikaliteve politike për të ndezur debatin e brendshëm në dobi të konfirmimit të alternativave dhe projekteve të PS-së për qeverisjen e vendit si dhe forcimin e rolit të kryetarit të Partisë, i cili zhdukjen nga partia, mund të ta faturojë me një të rënë lapsit, pa kaluar në hallkat vendimmarrëse të Partisë. Jo më kot personalitete të rëndësishme politike të PS-së anëtari i kryesisë dhe deputeti Arben Malaj, Sekretari për Çështjet Zgjedhore Kastriot Islami dhe Sekretari për Programin Politik Andis Harasani, paralajmërojnë se kongresi i 5 nëntorit do kryejë funksionet e byrosë politike të Enver Hoxhës. Pra, do miratohen dhe firmosen procesverbalet për të padëshiruarit dhe pikërisht këta do hidhen në “rrugë”, me justifikimin banal se janë përgjegjësit e mbrapshtësisë politike të PS-së. Për Edi Rama s’është fare problem se çfarë impakti politik do kenë vendimet e “kokë prerjes”, pasi reagimi i bazës socialiste është i ndjeshëm dhe i kuptueshëm, është kundër përjashtimeve në parti, duke qenë se kjo është një praktikë e vjetër komuniste. Nga ana tjetër, i këtij mendimi nuk është Edi Rama, i cili si kurdo herë me kryeneçësinë që e karakterizon, gërthet dhe ulëret se e keqja e PS-së është te elementët diversivë dhe kurrsesi te metodika e dështuar e drejtimit të saj. Megjithatë, i gjithë ky aksion është i lidhur fort me karrierën politike të Edi Ramës dhe ai mbijetesën në PS e sheh se sakrifikimi i Islamit, Malajt dhe Harasanit gjatë punimeve të lodhshme të Kongresit socialist, më 5 Nëntor.
 

Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami
“Aleatët presin nga PS ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe/ose caktimin e një platforme të suksesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme dhe jo ndryshime kushtetuese”- thotë Islami. Rama përmes kësaj taktike kërkon të zhvendosë vëmendjen nga debati për bashkimin e së majtës, duke shpikur njëkohësisht teoritë e “bashkimit me popullin”, si dhe të maskojë spastrimet e radhës në forumet drejtuese të PS. Kjo do të kalojë në disa faza, për të mbërritur në “gjyqin special” që pritet të bëhet në Kongresin e 5 nëntorit”.

Anëtari i kryesisë Arben Malaj
“Kongresi i PS-së do të synojë të miratojë programin dhe statutin e PS dhe njëkohësisht të zgjedhë forumet drejtuese të saj. Kongresi i PS-së është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar rreth problemeve reale të PS, për të ndryshuar filozofinë e organizmit dhe drejtimit të saj. Taktikat e një grupi të vogël për të ç’fokusuar debatin real për sfidat e PS dhe të vendit, nuk ju shërbejnë as atyre që më shumë devotshmëri i përdorin”.

Sekretari për Programin Politik, Andis Harasani
“Ky do të ishte turpi i PS-së në periudhën që drejtoi Rama. Kjo fatkeqësisht do të vërtetonte autoritarizmin e Ramës dhe regresin e PS-së drejt praktikave të PPSh-së. Nga ana tjetër, ky është detaji që më shqetëson më pak se çdo gjë tjetër. Këtu ndryshoj unë nga zoti Rama dhe shumë kolegë të tjerë. Për mua e rëndësishme është që PS-ja të kthehet në PS-në që duan socialistët dhe jo të vazhdojë të vegjetojë me vulën e përhershme të opozitës në xhep. Nuk e dua partinë time si një OJF, që vepron me orar zyrtar, tani është verë dhe do të bëjmë një muaj pushim, pastaj është vjeshtë dhe do të bëjmë pak bojkot, në dimër do bëjmë ca protesta dhe pastaj po vijnë zgjedhjet dhe të nxitojmë të bëjmë sikur bëjmë ndonjë punë apo ndonjë program”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›