PS po shkon drejt shpërndarjes, për shkak të axhendës personale anti-sistem të Edi Ramës
Edi Rama po e çon në shpërndarje Partinë Socialiste, për shkak të vendosmërisë së tij për ta marrë peng opozitën për interesat e tij ngushtësisht personale. Vendimi i djeshëm për bojkotimin e punimeve të parlamentit, është bashkëshoqëruar me kërcënimet talebane se s’do të njohë shtet e ligj, nëse Kolegji Zgjedhor nuk do t’i falte atij bashkinë e Tiranës.
Psikologjia shpjegohet thjeshtë. Humbja e bashkisë parakupton edhe humbjen e partisë, prandaj edhe subkoshienca i foli mbrëmë Edi Ramës për kanibalizëm, pra për ekzekutimin e të ngjashmit nga i ngjashmi. Rreziku që i vjen nga brenda partisë, ka sjellë edhe mbledhjen në ilegalitet të Grupit Parlamentar, duke përjashtuar Kastriot Islamin dhe Andis Harasanin, si dy deputetë kritikë, që mund të ngjizin shumë shpejt një aksion politik kundër humbësit të vërtetë të këtyre zgjedhjeve vendore.
Konfirmimi i një axhende politike e cila s’njeh sistemin demokratik dhe kërkon të imponojë vullnete që nuk vijnë nga kutitë e votimit po e çon Partinë Socialiste drejt shpërbërjes. Mundësitë që ofrohen janë të shumta, që nga distancimi i një grupi të madh deputetësh, duke e shndërruar klanin privat të Edvinit në një strukturë margjinale në politikën shqiptare e deri tek ndërmarrja e veprimeve konsensuale nga segmente të tjera institucionale të vendit, të cilat do të neutralizonin politikisht një lidership që s’pranon sistemin.
Shfaktorizimi i Partisë Socialiste dhe i gjithë opozitës po ecën paralel me afrimin e pensionit politik të Edi Ramës, megjithatë varet nga gjasat e riaktivizimit të vitalitetit të debatit të brendshëm të PS-së, një cilësi e njohur më herët e kësaj force politike që këto fate të ndahen dhe pensioni politik i Edvinit të mos bashkëshoqërohet me shpërndarjen apo margjinalizimin e Partisë Socialiste.