E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS prezanton kanditaten per njesine 5

Partia Socialiste ka prezantuar sot kandidaten për kryetare të minibashkisë numër 5, në Tiranë, Jeta Seitaj. Kryetari i PS-së, Edi Rama ka theksuar punën e bërë nga bashkia gjatë këtyre viteve, duke deklaruar se investimet do të vazhdojnë.

“Dje në fushën e aviacionit shijuam frutin e një punë të madhe dhe prekëm të realizuar një dëshirë të kahershme dhe të gjitha familjeve që jetojnë në atë zonë. Ndërtuam një park 50 mijë katrorë me shëtitoren më të gjatë të Tiranës për këdo që kërkon të ecë i pashqetësuar nga makinat, me terrene sportive dhe me kënde për më të moshuarit. Por edhe më e plotë ishte kënaqësia e asaj vepre të realizuar kur përgjatë ecjes në shëtitoren e re mblidheshin fëmijë që mblidheshin nga e gjithë Shqipëria. Kjo është Tirana që duam, që ndërtojmë prej 10 vjetësh, pa i ndarë qytetarët në të majtë dhe të djathtë”, tha Rama.

“Ta harrojnë Tiranën, ajo do të risnisë të vrapojë drejtë së ardhmes me të gjithë qytetarët pa dallim. E vetmja rrugë është ajo e PS-së, rruga e ‘Aleancës për të ardhmen’. Këta zotërinj duhet t’i japin llogari qytetarëve të Tiranës për keqqeverisjen e tyre. Tirana nuk ka nevojë për një Sali në qeveri dhe një tjetër në bashki. Ai duhet të japë llogari për faturat dhe taksat e papërballueshme nga inflacioni. Duhet të japë llogari për vrasjet, gënjeshtrat dhe baltën që kanë hedhur mbi punën tonë të papërtuar, që ka lënë gjurmën tonë në çdo pjesë të Tiranës”, theksoi Rama.

Ndërkohë Seitaj në fjalën e saj ka deklaruar se ndihet krenare “pas kësaj pune të bërë nga kryetari i bashkisë, Edi Rama”.

“Dy blloqe të mëdha janë konstruktuar së fundmi dhe veçoria është që bashkia po vazhdon projektin e dytë, duke vazhduar, gjelbërimin, këndet e lojës dhe parqet për të moshuarit. T’i themi ndal këtij koalicioni që vrau në 21 janar katër persona. Kjo nuk është hera e parë, pasi vrau dhe në Gërdec, por edhe një deputet dhe një komunar të opozitës. Të dalim të gjithë në 8 maj të votojmë për Edi Ramën dhe PS. Të votojmë për ‘Aleancën për të ardhmen’ sepse kjo është e vetmja rrugë që na çon në fitore”, theksoi Seitaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›