PS proteston për listat zgjedhore. Dokle: Në një shtëpi 1+1 janë regjistruar 6 familje
UPDATE- Partia Socialiste ka protestuar gjatë ditës së sotme para Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, pasi sipas saj, janë duke u kryer shkelje të rënda me listat zgjedhore.
Kryetarja e minibashkisë numër 1 në kryeqytet, Lindita Nikolli, theksoi se PS-ja ka prova se po shkelet kodi zgjedhur, duke regjistruar në Tiranë persona të cilët vijnë nga qytete të tjera.
Në shumë minibashki po bëhen regjistrime të personave që vijnë nga qytete të tjera, me qëllimin për të vjedhur zgjedhjet dhe s`ka asnjë pengesë nga sistemi i gjendjes civile që të mos i lejuar ata theksoi Nikolli.
Ajo gjithashtu theksoi se PS-ja nuk do të lejojë që asnjë votues i sjellë me forcë me një kontratë fiktive në dorë, të bëhet pjesë e manipulimeve për zgjedhjet.
Deputeti Namik Dokle tha se Basha po nxit të gjithë punonjësit e tij të regjistrohen në Tiranë. Dokle tha se në një shtëpi 1+1 janë regjistruar si banues 6 kurora.
Prej ditësh opozita është duke denoncuar shkeljet, që sipas saj janë duke u bërë me listat zgjedhore, sidomos në kryeqytet, që është bërë edhe objektivi kryesor i mazhorancës për tu fituar.