Prill 1992, Berisha: Unë president? Pushteti ka prishur burra më të mirë!

Sali Berisha- foto e vitit 1992
Debatet në mbledhjen e kryesisë së PD në 23 mars 1992, kur po ndaheshin postet pas fitores së PD, sipas kujtimeve të Blerim Çelës. Berisha propozohet njëzëri për president, por thotë se nuk kërkon shumë pushtet për vete, sepse sipas tij pushteti të kthen në diktator. Të luftojmë për një shtet sa më stabël e demokratik. Unë nuk dua të kthehem në Enver Hoxha. Edhe në parti, edhe në presidencë. Unë luftova për idealet e demokracisë dhe jo të marr të gjithë pushtetin vetë, se pushteti është i madh, ka prishur burra më të mirë e më të mençëm se unë
Nga Luljeta Progni
Pas një beteje njëvjeçare të opozitës demokrate në pranverën e vitit 1992, në 22 mars u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, dukë përmbyllur kështu një krizë gati dyvjeçare të fillimit të tranzicionit shqiptar. Në këto zgjedhje Partia Demokratike mori 62.09 për qind të votave, kurse Partia Socialiste, pasardhëse e PPSH-së mori vetëm 25.73 për qind të votave dhe në vend të tretë u rendit Partia Social-Demokrate me 4.38 për qind të votave. Por, edhe pse këto zgjedhje u fituan nga opozita, PD-ja, vlerësimi i ndërkombëtarëve ishte: Zgjedhje pjesërisht të lira. Fitorja e thellë e PD në këto zgjedhje bazohej jo vetëm në mllefin e popullit shqiptar kundër PPSH, por edhe në organizimin e PD si një parti me struktura reale, pasi kishte më shumë se një vit e gjysmë që ishte themeluar. Kishte përfunduar faza e zgjedhjeve në PD, e përmbyllur me kuvendin e parë të PD në vjeshtën e vitit 1991, ku dhe u zgjodh kryetar i PD Sali Berisha. Bashkë me organizimin e partisë dhe betejën për të fituar pushtetin, brenda PD kishin nisur përçarjet e para. Ishte larguar nënkryetari i kësaj partie Neritan Ceka, ndërkohë që kishin dhënë shenja mosbindje disa figura të tjera mjaft të rëndësishme të forumeve më të larta të PD-së, themelues të kësaj partie, si Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Arben Demeti etj.
Fitorja në zgjedhjet e 22 marsit dhe ndarja e posteve pas kësaj fitoreje ishte momenti i parë për të konstatuar se sa të padëshiruar ishin në radhët e PD këta ish-themelues, të cilët nuk duket se i bindeshin aq mirë kryetarit të partisë. Në qeverinë e parë të PD, ata nuk ishin pjesëtar. Sali Berisha u zgjodh president, ndërsa në qeveri nuk u përfshinë kundërshtarët e tij. Ky bojkot që Berisha i bëri themeluesve të PD, shumicës së tyre, duket se është edhe pikënisja e çarjes së kësaj partie dhe krijimin e një partie të re që rrjedh prej PD, Partia Aleanca Demokratike, ku u bënë drejtues thuajse shumica e themeluesve të PD.
Pas 19 vitesh në përvjetorin e 22 marsit, mungojnë shumica e themeluesve të kësaj partie si dhe shumica e zyrtarëve të lartë të shtetit të drejtuar prej PD-së në vitin 1992-1996. Shumica e tyre janë larguar nga PD, në momente të ndryshme, sa herë që zbuloheshin grupe armiqësore brenda partisë. Jo se përjashtoheshin, por sju mbetej asnjë rrugë tjetër veçse të largoheshin. Pasnesër është mbushën 19 vjet nga 22, marsi i vitit 1992, kur PD fitoi zgjedhjet parlamentare, dhe të presim të shohim se si do të festohet nga PD aktuale, e cila pak ngjet me atë të 19 viteve më parë, dhe kush do të mungojë a do të jetë prezent në këtë përvjetor.
Deformimi i PD-së sipas Blerim Çelës
Në librin me autor njërin prej anëtarëve të kryesisë së PD- Blerim Çela, me titull Deformimi i Partisë Demokratike, pasqyrohen debate të mbledhjes së kryesisë së PD pas zgjedhjeve të 22 marsit ku dhe po vendosej për ndarjen e posteve.
Më 22 mars 1992 që përkoi edhe me festën fetare bektashiane të Sulltan Novruzit, Partia Demokratike fitoi bindshëm, fitova edhe unë në Tepelenë dhe më rezultat shumë të mirë. Me datën 23 mars 1992 u bë një miting i madh ku foli zoti Sali Berisha dhe unë isha në krah të tij dhe të ambasadorit të SHBA-së, z. Rajerson, të cilin e kisha edhe mik. Ai na ka ndihmuar shumë për fitoren tonë. Ishte njeri i thjeshtë dhe i kuptueshëm, fliste dhe kuptonte mirë gjuhën shqipe.
Në datën 2 prill 1992 u bë mbledhja e kryesisë së PD për të vendosur postet kryesore në shtet.
I pari foli Gramoz Pashko, i cili tha: Populli kërkon një njeri të fortë e karizmatik dhe ky është Saliu, jam për president të fortë. Vendimet e qeverisë duhet të miratohen e të firmohen nga presidenti, pra do kontrollojë si ligjvënës.
Z. Alia Spahia: Populli e ka vendosur që Ramiz Alia të hiqet dhe po populli e ka vendosur se kush duhet të jetë president.
Z. Leka Toto: Populli ka psikologjinë e tij dhe nuk do ndryshime të mëdha legjislative. Presidenti të lidhet me ekzekutivin. Po të gabojë Saliu, morëm fund të gjithë, prandaj duhet ndarje pushtetesh.
Z. Sali Berisha: Të luftojmë për një shtet sa më stabël e demokratik. Unë nuk dua të kthehem në Enver Hoxha. Edhe në parti, edhe në presidencë. Unë luftova për idealet e demokracisë dhe jo të marr të gjithë pushtetin vetë, se pushteti është i madh, ka prishur burra më të mirë e më të mençëm se unë. Nëse i kthejmë 2 deri në tre funksione presidentit, them se nuk ka nevojë për më tepër. Kemi Kuvendin popullor, kemi partinë e qeverinë që do të mbështesin njëra-tjetrën së bashku me presidentin.
Z. Eduard Selami: Po të kemi një kryeministër të fortë dhe ky të jetë Doktori, do të bëhet pikë goditjeje prandaj duhet të kemi një president me kompetenca më të gjera dhe me një kryeministër që ka kompetencat që ka çdo kryeministër, por jo më të mëdha se të presidentit.
Genc Ruli: Na duhet një president i fortë, një parlament i fortë, qeveri dhe parti e fortë, që të përballojmë sfidat që kemi përpara..
Zgjedhja e Arbnorit kryetar i Kuvendit, fitorja me një votë ndaj kandidaturës së Imamit
Në këtë situatë, ku Pashko, Imami, Ruli, Zogaj e të tjerë shiheshin me dyshim, u bënë mbledhjet në kryesi e në Këshillin Kombëtar të PD për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. Pasi dolën dy kandidatët, zotërinjtë Pjetër Arbnori e Arben Imami, me votim të fshehtë fitoi me një votë plus zoti Arbnori. Unë propozova për nënkryetar të kuvendit zotin Tomor Malasi, i cili u votua nga Këshilli Kombëtar dhe fitoi. Zotit Imami iu propozuan poste të rëndësishme në kabinetin qeveritar, por i refuzoi, dhe mbeti vetëm deputet por mjaft i mërzitur. Z. Pashko nuk u propozua fare për në qeveri.
Kuvendi i Shqipërisë për legjislaturën e VIII u hap nga më i moshuari që ishte zoti Pjetër Arbnori, në datën 4 prill 1992. Ai tha në fjalën e tij: Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të ftuar,
Nderin e madh për të hapur punimet e parlamentit të Parë Demokratik të pasluftës unë nuk e quaj se më bëhet mua, por të gjithë demokratëve që kanë vuajtur burgjeve, internimeve e mërgimeve, të gjithë të përndjekurve, të gjithë martirëve të epokës më të errët që kaloi atdheu ynë.
Në emër të nënave e motrave tona, që jetuan me trishtim, në emër të fëmijëve tanë të rritur me të keq, falënderoj demonstruesit e parë, falënderoj studentët që dhanë shkëndijën e demokracisë.
22 marsi qe një festë e trefishtë. Erdhi pranvera, erdhi demokracia dhe pas një thatësire të gjatë reshi një shi i butë, i bekuar që këndelli bimësinë në fushë e në mal, duke shpëlarë njëherësh edhe murtajën komuniste. Pas gjysmë shekulli harrese nga bota, ne i kthyem sytë nga Zoti dhe Zoti na pa me dritën e vet. Pas fitores së madhe të demokracisë asgjë e tmerrshme nuk ndodhi, asgjë nuk do të ndodhë. Populli ynë u tregua i pjekur, i matur dhe e kaloi këtë pikë kthese me një qetësi të admirueshme. Kjo qe fitorja e të gjithëve, edhe e aty