E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, pushtetarët vendorë mund të mbeten jashtë listave

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në krye të pushtetit vendor mund të jenë të parët që përjashtohen nga kandidimi për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Burimet nga selia rozë rrëfejnë se ndonëse nuk ka një diskutim zyrtar, po mendohet vendosja e një kriteri që shmang nga konkurrimi krerët e bashkive dhe komunave. Arsyeja kryesore mendohet të jetë shmangia e një zinxhiri zgjedhjesh të njëpasnjëshme dhe kostoja që mund të merrte partia në një rast të tillë. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenin 69, thuhet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatikë, kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji. Mandati i fituar në kundërshtim me këtë nen të Kushtetutës cilësohet i pavlefshëm. Në rastin e kandidimit, një drejtues i pushtetit vendor duhet të heqë dorë paraprakisht nga posti i tij në drejtim të bashkisë apo komunës. Ky veprim sjell më tej proces votimi për të zgjedhur kreun e ri të pushtetit vendor ku është krijuar vendi vakant. Burimet brenda Partisë Socialiste sqarojnë se një ide e tillë gjen mbështetje të madhe në strukturat e larta drejtuese, ndonëse mund të sjellë pakënaqësi në kategorinë e kryebashkiakëve. Një pjesë e tyre mendohet se kanë ambicien për të qenë në listat e kandidatëve për deputetët e ardhshëm të pas 28 qershorit. Nëse ky kriter do të arrijë të vendoset, automatikisht jashtë listave mbeten krerët e bashkive kryesore të vendit; Durrës (Vangjush Dako), Vlorë (Shpëtim Gjika), Elbasan (Qazim Sejdini), Fier (Baftjar Zeqo), Gjirokastër (Flamur Bime), Korçë (Niko Peleshi), Berat (Fadil Nasufi). Rasti i Edi Ramës në cilësinë e kreut të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe të liderit të Partisë Socialiste, është specifik. Opsioni më i diskutueshëm vazhdon të jetë ai i moskandidimit të Ramës në listën e deputetëve. Heqja dorë nga bashkia mund të bëhet vetëm në rast se socialistët fitojnë zgjedhjet dhe Rama merr postin e Kryeministrit. Debati për listat do të duhet të mbyllet së shpejti, për shkak se në fillim të majit duhet të depozitohet lista në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Burimet sqarojnë se pjesa dërrmuese e kandidatëve do të përthithet nga struktura të krijuara kohët e fundit, si "Bordet e Dialogut me Qytetarët", rrjeti i vullnetarëve, strukturat e partisë, grupi aktual parlamentar dhe bordi i fondacionit "Qemal Stafa". Zyrtarisht, strukturat e partisë nuk kanë filluar ende përzgjedhjen dhe seleksionimin e emrave, duke ia lënë gjithçka momentit të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›