E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ndjekje penale për dhunën ndaj grave"

Kryetari i PS-së, Edi Rama, në një aktivitet me mbi 400 gra të Forumit të Gruas Socialiste të Tiranës, ka ekspozuar disa nga tezat e programit të ri qeverisës, për barazinë gjinore. Pasi u ka uruar festën grave në të gjithë vendin, Rama ka shpalosur edhe disa nga idetë e programit që lidhen me të drejtat e femrave shqiptare. "Janë të shumta rastet që lidhen me gra që sot janë prapa hekurave, për shkak të veprimeve ekstreme ndaj burrave agresorë. Ashtu si janë jo të pakta rastet që agresorët që kanë vrarë gruan apo vajzën janë liruar pas pak kohësh, nën pretekstin e gjendjes depresive", u shpreh Rama. Ai ka theksuar se "e konsiderojmë detyrimin tonë, që të bëjmë çdo përpjekje që elementët ekstremë apo elementët e provueshëm të dhunës në familje t‘i bëjmë pjesë të krimeve penale. Ky sigurisht është një detyrim që nuk buron nga shpirti i ndëshkimit, por nga ai shpirt drejtësie që karakterizon shumë prej vendeve të zhvilluara, ku dhuna që lidhet me krimin në familje, trajtohet pikërisht përmes Kodit të Procedurës Penale". Më tej ai është ndalur në faktin se "në Shqipërinë e shekullit XXI, në vitin 2009, janë mbi 50% gratë shqiptare që kur bëhen nëna nuk e përfitojnë lejen e barrëlindjes se nuk janë mbuluar nga sigurimet. Për këtë arsye, detyrohen ta braktisin foshnjën qysh në fillim, për t‘u rikthyer në punën e zezë, apo në arën ku duhet të ndjekin parmendën për shkak të varfërisë". Për këtë çështje ai garantoi se pas 28 qershorit, asnjë nënë shqiptare nuk do ta lëmë që për shkak të varfërisë të lërë foshnjën, por do ta mbajmë pranë foshnjës, duke ia mbuluar së bashku përfitimin nga barrëlindja. Shefi i opozitës ka shtuar gjithashtu se objektiv për të do të jetë edhe rritja e nivelit të frekuentimit të çerdheve dhe kopshteve në të gjithë vendin deri në 40%, për grup moshën 0-3 vjeç.

Ndërsa është përqendruar edhe në atë që e ka cilësuar si ndryshimin radikal të formës së sistemit vendimmarrës.

"Pa ndryshuar radikalisht në treguesit statistikorë të pjesëmarrjes së grave, jo thjesht dhe vetëm në politikë, por në sistemin ekzekutiv të këtij vendi, nuk mund të kemi asnjë pushtet legjislativ më të vetëdijshëm dhe më funksional dhe asnjë pushtet ekzekutiv më të vetëdijshëm për të garantuar sfidën që kemi përpara", tha Rama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›