E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, skema për rritjen e pagave

Më në fund, qeveria hap "thesin" për institucionin e prokurorisë. Kur kanë mbetur edhe disa muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, Ministria e Financave ka publikuar buxhetin afatmesëm për organin e akuzës, duke lënë mënjanë sulmet politike. Mazhoranca i premton institucionit të prokurorisë rritje 70 për qind të pagës deri në vitin 2011. Rritja e pagës do të bëhet gradualisht, duke filluar nga viti 2009, me 25 për qind, e për të përfunduar në vitin 2011 me një rritje page 20 për qind. Ndërkohë, në vitin 2010 parashikohet nga qeveria një rritje mesatarisht 25 për qind e pagave të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Ministria e Financave ka publikuar në fillim të këtij viti programin buxhetor të sistemit të prokurorisë. Vihet re një rritje e ndjeshme e sistemit të pagave, po nuk përjashtohet dhe rregullimi i infrastrukturës e lehtësirat për pajisjen e njerëzve të drejtësisë me apartamente banimi.

Shpenzimet e institucionit buxhetor të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas Ministrisë së Financave, lidhen me rritjen e nivelit të profesionalizmit dhe të paanshmërisë, nëpërmjet aplikimit dhe zhvillimit të praktikave cilësore të investigimit, në respektim të mbrojtjes së interesave publike dhe të lirive e të drejtave të individit. Gjithashtu efektet financiare kanë si rrjedhojë edhe garantimin e ushtrimit të funksioneve të Prokurorisë dhe seksioneve të Policisë Gjyqësore, duke u siguruar atyre mbrojtje, pavarësi dhe mosndikim nga pushtetet e tjera.

Viti 2009

Qeveria ka premtuar në vitin 2009 përmirësimin e sistemit të pagave për prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, me një rritje mesatarisht 25%, ku pagat e prokurorëve të të gjitha niveleve do rriten mesatarisht 30% dhe për oficerët e Policisë Gjyqësore pagat do rriten mesatarisht 20%. Gjithashtu qeveria ka hapur "thesin" edhe për pajisje që ndihmojnë në punën e përditshme të organit të akuzës. Gjatë këtij viti, prokuroria do të pajiset me rreth 150 kompjuterë të rinj. "Pajisje zyre dhe rikonstruksione në rrjetin e informatikës" është një tjetër "ndihmë" e qeverisë për organin e akuzës, ku përfshihen edhe rikonstruksioni i 5 godinave të prokurorive në rrethe. "Gjatë vitit 2009 parashikohet edhe ndërtimi i godinës së re në Rrethin e Korçës; autovetura të reja; 18 audite të realizuara në institucionet e vartësisë; 12 kontrolle të drejtorisë gjyqësore në Prokuroritë e Apeleve; mirëmbajtja e sistemit special dhe trajtimi me përparësi në strehim i 20 prokurorëve sipas procedurave të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në këtë fushë", deklaron Ministria e Financave.

Viti 2010

Gjatë vitit 2019 parashikohet një përmirësim tjetër i sistemit të pagave për prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, me një rritje mesatarisht 25%, ku pagat e prokurorëve të të gjitha niveleve do rriten mesatarisht 20% dhe për oficerët e Policisë

Gjyqësore pagat do rriten mesatarisht 30%. Në këtë vit parashikohet edhe mirëmbajtja e sistemit special, rikonstruksioni i 4 godinave në prokuroritë e rretheve, ndërtimi i ri në 2 godina dhe autovetura të reja. Në vitin 2010 do të kryhen 18 audite në institucionet e vartësisë, si dhe instalimi i sistemit të kamerave dhe kartave elektronike për 25 prokurori, me kosto totale 18.875 milionë lekë. Të tjera përfitime të prokurorisë për vitin 2010 janë: instalimi i linjave të dedikuara në 25 prokurori të rretheve, kosto totale 18.8 milionë lekë; pajisje kompjuterike; pajisje zyrash; programe database; 12 inspektime të plota dhe të pjesshme nga Drejtoria e Inspektimit në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë.

Viti 2011

Rritja e fundit e parashikuar e rrogave të sistemit të prokurorisë do të kryhet në vitin 2011, ku do të ketë një tjetër përmirësim të pagave për prokurorët e të gjitha niveleve dhe oficerët e Policisë Gjyqësore me një rritje mesatarisht 20%. Gjithashtu parashikohen mirëmbajtje e sistemit special me kosto totale 24 milionë lekë, 2 objekte të rikonstruktuara me kosto totale 5.533 milionë lekë, objekt i ri (Prokuroria e Rrethit Shkodër) ku vlera e projektit ka kosto totale 4 milionë lekë, autovetura të reja me kosto totale 15 milionë lekë dhe 18 audite në prokuroritë e shkallës së parë. Në vitin 2011 parashikohet instalimi i një sistemi telefonik për 700 përdorues me kosto totale 10 milionë lekë, instalimi i 6 database me kosto totale 18 milionë lekë si dhe 12 inspektime të plota dhe të pjesshme nga Drejtoria e Inspektimit në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë.

Objektivat e politikës për vitin 2009

• Përmirësimi i shërbimeve të nevojshme lidhur me sistemin e prokurorisë

• Rritja e pavarësisë së këtij organi

• Transparenca, përgjegjshmëria, bashkëpunimi midis strukturave dhe përdorimi me efikasitet i fondeve buxhetore

• Rritja e nivelit të profesionalizmit dhe paanshmërisë, nëpërmjet aplikimit dhe zhvillimit të praktikave cilësore të investigimit, në respektim të mbrojtjes së interesave publike dhe të lirive e të drejtave të individit

• Menaxhimi me efektivitet i shpenzimeve buxhetore, nëpërmjet zbatimit të procedurave ligjore dhe rregullave në fuqi dhe duke audituar në kohë sa më të shkurtër aktivitetin financiar të prokurorisë në tërësi

• Rritja e cilësisë në hetim, ndjekjen penale dhe ngritjen e akuzës në gjykatë

• Përmirësimi i raportit të procedimeve penale që dërgohen për gjykim me ato të pushuara dhe të pezulluara për moszbulim të autorëve të veprave penale

• Përmirësimi i kushteve të përgjithshme të punës, nëpërmjet rikonstruksionit të godinave dhe shpërndarjes së pajisjeve moderne për zyrat e prokurorëve, si edhe zbatimit të disa detyrimeve ligjore që lidhen me kushtet e jetesës së prokurorëve

• Kualifikimi intensiv i prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve pranë prokurorisë, nëpërmjet seminareve, asistencës nga organizma të huaj etj.

• Rritja e eficencës së shqyrtimit të dosjeve sipas llojit të veprave penale dhe përhapjes së tyre në një shkallë vendi

Objektivat e politikës për vitin 2010

• Zbatimi i ligjeve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke rritur besimin te qytetarët nëpërmjet transparencës, ndershmërisë dhe rritjes së cilësisë së hetimeve

• Përmirësimi i shërbimeve të nevojshme lidhur me sistemin e prokurorisë, rritja e pavarësisë së këtij organi

• Menaxhimi efikas i burimeve financiare dhe materiale të Prokurorisë së Përgjithshme

• Përmirësimi i raportit të procedimeve penale që dërgohen për gjykim me ato të pushuara dhe të pezulluara për moszbulim të autorëve të veprave penale

• Përmirësimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpërmjet trajnimit të tyre

• Përmirësimi i kushteve të strehimit për prokurorët

• Rritja e infrastrukturës së hetimit dhe ndjekjes penale për ta ngritur me baza shkencore

• Rritja e numrit të inspektimeve në prokuroritë e shkallës së parë

Objektivat e politikës për vitin 2011

• Zbatimi i ligjeve për të luftuar korrupsionin dhe krimin, duke rritur besimin te qytetarët nëpërmjet transparencës, ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë

• Përmirësimi i shërbimeve të nevojshme lidhur me sistemin e prokurorisë dhe rritja e pavarësisë së këtij organi

• Menaxhimi efikas i shpenzimeve buxhetore

• Përmirësimi i kushteve të punës

• Trajnimi i stafit

• Kontrolle dhe inspektime në institucionet e vartësisë

• Vënia në funksion të plotë e programeve në ndihmë të hetimit

• Kalimi i sistemit të brendshëm telefonik në sistem të brendshëm VOIP



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›